Paraqitja e Kosovës, pozitive; puna e trajnerit, serioze

26 mars 2018 | 12:34

Ish-futbollisti i shumë skuadrave në Kosovë dhe i përfaqësueses, Genc Sermaxhaj, e ka vlerësuar lart paraqitjen e Kosovës në ndeshjen ndaj Madagaskarit. Ai nuk ka hezituar të thotë fjalë të mira edhe për punën e trajnerit të ri të Kosovës, Bernard Challandes.

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll të shtunën ka fituar në miqësoren ndaj Madagaskarit (1-0), me ç’rast Bernard Challandes debutoi me fitore në postin e trajnerit. Ish-futbollisti i shumë skuadrave në Kosovë dhe tash analisti sportiv, Genc Sermaxhaj, për “Epokën e re” e ka vlerësuar paraqitjen e Kosovës si pozitive, kurse trajnerit zviceran nuk heziton t’i japë notë të lartë për seriozitetin në punë. “Paraqitje pozitive e Kosovës në ndeshjen ndaj Madagaskarit. Edhe pse kishte mungesa në përbërjen e parë, futbollistët që startuan u paraqitën mjaft mirë nën drejtimin e trajnerit të ri, i cili kishte bërë punë të mirë dhe serioze në repartin defansiv, ku u treguam më të vëmendshëm sesa në ndeshjet e kaluara ku patëm pësuar shumë gola. Një ndeshje e kënaqshme, por ka vend të përmirësohemi për ndeshjet e radhës”, ka thënë Sermaxhaj, i cili pati fjalë të mira edhe për autorin e golit të fitores, Edon Zhegrova. “Me trajnerin e ri janë vërejtur edhe disa ndryshime në formacionin bazë të cilat rezultuan me sukses, sidomos ajo e futbollistit të talentuar Edon Zhegrova, i cili bëri diferencën me aftësitë individuale”, ka deklaruar ai.

Pas fitores në ndeshjen e parë në krye të ekipit përfaqësues të Kosovës, Bernard Challandes deklaroi se rëndësi të madhe ka fakti se në këtë ndeshje nuk është pranuar asnjë gol.

“Jam shumë i kënaqur me fitoren. Kjo është e qartë. Qëllimi i parë që kemi pasur gjatë javës ka qenë në aspektin mbrojtës. Nuk kemi pësuar gol dhe kjo është shumë e rëndësishme për mua, ndërkohë që gjatë eliminatoreve Kosova është ndëshkuar 24 herë. Patëm raste të mira edhe në pjesën e dytë, por nuk i konkretizuam. Jam i kënaqur edhe me mentalitetin e skuadrës, djemtë qëndruan kompaktë, kjo ishte ajo që doja në këtë takim. Kam rezervat e mia në disa momente të lojës. I kemi humbur disa topa, por mund t’i korrigjojmë gabimet. Tani është e qartë, kemi mundur Madagaskarin, që nuk është Brazili, edhe pse mbetet një kundërshtar për t’u respektuar, por duhet të jemi të përqendruar dhe të shohim për të ardhmen”, ka deklaruar Challandes.

Ndërsa ish-reprezentuesi i Kosovës, Genc Sermaxhaj, ka thënë se deklarata e zviceranit pas ndeshjes ka qenë e matur dhe mjaft reale, sepse ekipit të Kosovës i duhet shumë punë në lidhje me posedimin e topit dhe eliminimin e humbjes së topit në mesin e fushës.

Skuadra e Kosovës ka zhvilluar të dielën përgatitjen e radhës për ndeshjen e ardhshme miqësore, e cila zhvillohet të martën nga ora 18:00 ndaj Burkina Fasos.

(Veton ZYMBERI)

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, duke ka folur për Gjykatën…