Paraqitja për pension, dënim i të moshuarve
Shpresëplotë që të kryejë punë, mori rrugë nga Keqekolla në Prishtinë. Por, dështoi.
Haradin Bajrami shkoi te Zyra e Pensioneve në kryeqytet që të lajmërojë gruan e tij që është gjallë për të mos iu ndalur pensioni, por kjo gjë nuk iu bë e mundur.
Si krejt pensionistët, ajo duhet të paraqitet çdo 6 muaj. Por, pasi nuk gëzon shëndet, i shoqi i saj lutet që të ketë tjetër verifikim.
Eliminim të procedurave burokratike duan edhe të moshuarit tjerë, tash në kohë të digjitalizimit.
Edhe të drejtat e njeriut del se cenohen kështu, e Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, ka disa propozime se si të kontraktohet një operator i jashtëm apo edhe përmes studentëve të Universitetit të Prishtinës.
Ankesa nga mosha e tretë ka marrë edhe Albana Bytyqi, deputete e Komisionit për të Drejtat e Njeriut nga AAK-ja.
Ministria e Financave për këtë temë nuk është përgjigjur, teksa Bytyqi u zotua se në legjislaturën tjetër do të angazhohet me prioritet në këtë drejtim.