Paraqitje e suksesshme e skitarëve në garën ndërkombëtare ‘Dardania Cup’
Federata Skitare e Kosovës organizoi të dielën edicionin e dytë të garës ndërkombëtare “Dardania Cup”, e cila u mbajt në Qendrën Skitare “Arxhena”, në Brod të Dragashit.
Pjesëmarrës ishin 45 garues të shteteve: Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Veriut, Greqi, Sllovaki, Turqi dhe Hungari. Garat u mbajtën në të dyja konkurrencat për grupmoshat U-14 dhe U16 në disiplinat e sllallomit dhe sllallomit të madh.
Nga garueset e Kosovës veçohet Lirika Deva dhe Elena Hoxha, të cilat fituan medaljen e artë përkatësisht të bronztën, në grupmoshën U-16, disiplina e sllallomit të madh. Në konkurrencën e meshkujve, grupmosha U16, disiplina e sllallomit, Klos Vokshi fitoi medaljen e bronztë. Të bronztën e fitoi edhe Klara Sefaj në grupmoshën U-14, sllallom të madh.
I pranishëm në garë ishte edhe nënpresidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Gazmend Maxhuni, ndërsa KOK ndihmoi organizimin e garës me dhënien në shfrytëzim të një kombi nga sponsori ynë, Toyota Kosova.