Parashikimi i motit për pesë ditët e ardhshme
Java e ardhshme parashihet të jetë kryesisht me mot të vranët, por nuk do të mungojnë edhe intervalet e shkurta me diell.
Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK), nuk parashihen reshje të intensitetit të lartë, por vetëm riga dhe fjolla të dobëta bore.
“Temperaturat minimale gjatë këtyre pesë ditëve të parashikimit do të lëvizin ndërmjet – 4 deri 8 gradë celsius. Rigat e dobëta parashihen të martën dhe të enjten, ndërsa fjollat e dobëta të borës parashihen ditën e premte. Edhe pse këto reshje të intensitetit të dobët parashihen gjatë ditëve të ardhshme, nuk do të përfshijnë gjithë territorin”, ka njoftuar IHMK-ja.
Reshje të intensitetit mesatar parashihen të jenë rreth relievit malor, kryesisht në formë të dëborës. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i veriut dhe verilindjes.