Paratë që ua dhanë në ditën e martesës, Princi Harry dhe Meghan i japin për bamirësi
Duka dhe dukesha e Sussex kanë kontaktuar së fundmi me një organizatë bamirësie për të ndihmuar me ushqim familjet në nevojë gjatë periudhës së përhapjes së virusit “Korona”.
Meghan Markle e Princi Harry kanë kërkuar që të ardhurat e martesës së tyre mbretërore prej rreth 90 000 paundësh t’i jepen grupit bamirës Feeding Britain, i cili furnizon me ushqim familjet britanike me të ardhura të ulëta që mezi mbushin tryezën e tyre.
Një zëdhënës i çiftit tha se ata ishin impresionuar me punën e organizatës gjatë krizës së virusit “Korona”.
Harry e Meghan, të cilët kanë hequr dorë nga funksionet mbretërore dhe po jetojnë në ShBA, i telefonuan kryepeshkopit të Britanisë, i cili kreu martesën e tyre në vitin 2018 dhe është gjithashtu president i organizatës së bamirësisë në fjalë Feeding Britain.
Ish-mbretërorët e njohën organizatën kur vizituan supermarketin e tyre të komunitetit në Merseyside, në janar të vitit të shkuar kur Meghan ishte shtatzënë.
“Duka dhe dukesha folën kohët e fundit me kryepeshkopin dhe dëgjuan për punën e bërë nga organizata e tij në mbështetje të njerëzve në nevojë gjatë krizës së Covid-19. Ata ishin të lumtur të siguronin para për të dhuruar për nje kauzë të tillë madhore”, tha zëdhënësi i tyre.