‘Paris 2024’, kërcënohen tre sportistë të Izraelit
Tre sportistë të Izraelit në Lojërat Olimpike të Parisit janë kërcënuar me vdekje. Policia franceze ka hapur një hetim mbi këtë ngjarje, ku oficerët kundër krimit kibernetik kanë kërkuar që të fshihen të dhënat personale të sportistëve në rrjetet sociale.
Në një deklaratë, Drejtoria Kombëtare Kibernetike e Izraelit tha se pas një hetimi kishte arritur në përfundimin se hakerët iranianë po krijonin kanale të mediave sociale për të publikuar informacione personale për anëtarët e delegacionit izraelit dhe për t’u dërguar atyre mesazhe kërcënuese.
Në të njëjtën ditë, ministri i jashtëm i Izraelit paralajmëroi homologun e tij francez për një komplot të mundshëm të mbështetur nga Irani për të synuar atletët dhe turistët izraelitë gjatë Lojërave Olimpike të Parisit.
Atletët izraelitë në Lojërat Olimpike po shoqërohen nga njësitë elitare dhe u jepet mbrojtje 24-orëshe gjatë gjithë Lojërave Olimpike.