Parisi voton për të ndaluar marrjen me qira të skuterëve elektrik
Parisienët kanë votuar me shumicë dërrmuese për ndalimin e skuterëve elektrikë në rrugët e kryeqytetit francez.
Votat për ndalim arritën në mes 85.77 për qind dhe 91.77 për qind në 20 distriktet e Parisit që publikuan rezultatet të dielën, sipas faqes së internetit të qytetit të Parisit.
Kryetarja Anne Hidalgo e cilësoi referendumin si sukses dhe sa se rezultati ishte “shumë i qartë”. Ajo tutje shtoi: “Nga 1 shtatori nuk do të ketë më skuter vetëshërbimi në Paris”, raporton Al Jazeera, përcjell Telegrafi.
Dalja në votimet e së dielës ishte shumë e ulët. Bashkia tha se pak më shumë se 103,000 nga 1.38 milionë votuesit e regjistruar të Parisit hodhën votën e tyre.
Votimi u thirr në mes të shqetësimit në Paris për qindra aksidente që përfshijnë skuterët, të cilët u prezantuan në vitin 2018 dhe mund të qasen përmes aplikacioneve të telefonave të mençur.
Vitin e kaluar, kryeqyteti francez regjistroi 459 aksidente me skuter elektrikë dhe mjete të ngjashme, tre prej tyre fatale.
“Ne jemi të lumtur. Kjo është ajo për të cilën ne kemi luftuar më shumë se katër vjet”, tha për agjencinë e lajmeve AFP Arnaud Kielbasa, bashkëthemelues i bamirësisë Apacauvi, e cila përfaqëson viktimat e aksidenteve me skuter elektrik.
Kielbasa, gruaja e të cilit dhe vajza e mitur u goditën nga një drejtues i një skuteri elektrik, shtoi: “Të gjithë parisienët thonë se janë nervozë në trotuare, nervozë kur kalojnë rrugët. Duhet të shikoni gjithandej”.
Montreali në Kanada i nxorri jashtë ligjit të gjithë skuterët elektrikë për dhënie me qira ose përdorim privat në vitin 2020, ndërsa kryeqyteti i Danimarkës, Kopenhaga, i ndaloi versionet me qira në vitin 2020 përpara se t’i kthente një vit më vonë me kushte më të rrepta.