Parku Arkeologjik Ulpiana do ta ketë mbështetjen e MKRS-së
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka vizituar të enjten Parkun Arkeologjik Ulpiana, për t’i parë nga afër punimet që po zhvillohen nga Instituti Arkeologjik i Kosovës, punimet e tjera në bashkëpunim me Universitetin L’Ecole Normale Superiore Paris dhe Universitetin e Prishtinës, sipas marrëveshjes së nënshkruar vitin e kaluar.
“Sot jam këtu që të shoh nga afër punimet të cilat po zhvillohen nga Instituti Arkeologjik i Kosovës, në procesin e gjurmimeve të rregullta arkeologjike, të konservimit-restaurimit, por edhe të mirëmbajtjes së parkut arkeologjik në përgjithësi. Po ashtu, gjatë kësaj vizite dua t’i shoh nga afër punimet e tjera specifike të cilat zbatohen në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë, universitete dhe institucione të tjera shumë të rëndësishme e që në rastin e Ulpianës kanë qenë në numër të konsiderueshëm”, ka thënë ministri Gashi.
Ai ka shtuar se e vlerëson angazhimin e Institutit Arkeologjik, arkeologëve, profesorëve të Universitetit L’Ecole Normal Superiore Paris (me karakter shkencor, kulturor dhe profesional) dhe atyre të Universitetit të Prishtinës. Po ashtu, ministri përgëzoi studentët e Universitetit Veror që iu kanë bashkangjitur këtij ekipi profesional.
Ministri Gashi ka thënë se Parku Ulpiana do të ketë mbështetje të vazhdueshme. “Parku Arkeologjik Ulpiana do ta ketë mbështetje të vazhdueshme deri në funksionalizimin e plotë të tij, në kuptimin e punimeve, krijimit të kushteve më të mira për vizitorë dhe promovimit të këtij parku”, ka thënë Gashi. Ai ka inkurajuar që këtë mbështetje ta kthejnë në angazhime të shtuara dhe në shkëmbim të përvojave mes kuadrosh profesionale dhe që gjeneratave të reja t’u mundësohet të marrin më shumë njohuri dhe përvojë.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka theksuar se “nga ky park, paraprakisht lokalitet arkeologjik ka shumë të rinj që kanë filluar angazhimin e tyre si praktikantë, kurse sot studiojnë në universitete prestigjioze në Evropë, por edhe udhëheqin projekte të gërmimeve brenda Kosovës. E rikonfirmoj se është shembulli më i mirë që duhet ndjekur”. Në fund të fjalës së tij, ministri Gashi ka pohuar se nga ekipi përgjegjës pret që “ta finalizojë Planin e Menaxhimit dhe një botim, në formë të monografisë për Parkun Arkeologjik Ulpiana”.