Parlamentarët evropianë kërkojnë liberalizimin e vizave për Kosovën

03 prill 2020 | 08:07

Zyra për shtyp e Parlamentit Evropian, i cili në rrethanat e krizës së pandemisë punon me kapacitete shumë të kufizuara, ka shpërndarë një komunikatë me të cilën shprehet kënaqësi për vendimin e Qeverisë së Kosovës lidhur me heqjen e tarifës 100 për qind për importin e mallrave nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina. Këtë e ka quajtur hap të rëndësishëm i cili mund të çojë drejt rifillimit të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Shefi i delegacionit për Kosovën në Parlamentin Evropian, Romeo Franz, dhe raportuesja Viola Von Crammon-Taubadel, kanë përshëndetur vendimin e Qeverisë së Kosovës për heqjen e taksës. Ata kanë kërkuar që BE-ja tash t’i liberalizojë vizat për qytetarët e Kosovës, pa marrë parasysh krizën politike, shkruan KOHA.

“Jemi shumë të lumtur për këtë vendim të miratuar nga qeveria në detyrë për t’i hequr tarifat prej 100 për qind. Ky është një sinjal i rëndësishëm për bashkëpunim politik në rajon dhe hap kyç, i cili shpresoj se do të çojë drejt rifillimit të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, në mënyrë që raportet mes Beogradit dhe Prishtinës të mund të normalizohen”, ka thënë Viola Von Cramon, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian.

Ndërkaq Romeo Franz, shef i delegacionit ndërparlamentar për Kosovën, ka thënë se tash pret nga BE-ja që të veprojë në favor të Kosovës dhe qytetarëve të saj dhe t’i heqë vizat. “Ne llogarisim në shtetet anëtare të BE-së që ta përmbushin premtimin e tyre dhe t’i liberalizojnë vizat për qytetarët e Kosovës sa më parë që të jetë e mundur, pa marrë parasysh situatën politike. Kjo do të ishte një shenjë e rëndësishme solidariteti, sidomos për të rinjtë në Kosovë dhe për përkushtimin e vendit drejt së ardhmes evropiane”, ka thënë Franz.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, disa herë kishte paralajmëruar veprime…