Parlamentarët zviceranë nënshkruajnë rezolutën e propozuar nga veprimtari Sali Bislimi për Gjykatën Speciale
“Startojnë nënshkrimet nga parlamentarët zviceranë për t’i kërkuar qeverisë zvicrane kujdes për një gjykim të drejt dhe të paanshëm për presidentin Thaçi dhe gjithë të tjerët në Gjykatën e Hagës”, ka shkruar në “Facebook” drejtori i organizatës “Zëri Perëndimor i Kosovës”, njëherësh edhe drejtor i zyrës ligjore First-consulting.ch në Bern.
Bislimi ka bërë me dije se Rezoluta propozohet nga “Zëri Perëndimor i Kosovës” dhe i drejtohet qeverisë zvicerane, dhe gjen mbështetjen tek të gjitha figurat markante të politikës zvicerane.
“Kryetari i Partisë së Qendrës z. Gerhard Pfister, nënkryetari Charles Juillard. Nënkryetari i Partisë Libral-Radikale z. Philippe Philippe Nantermod, dhe nga të gjitha partitë mbi të gjitha edhe nga unioni demokratik i qendrës. Takim pata edhe me kryetarin e Parlamentit z. Martin Candinas”, ka shkruar Bislimi në “Facebook”.
Ai ka theksuar se nënshkrimet do të vazhdojnë edhe ditëve në vijim për të arritur suksesin dhe kujdesin që meriton Kosova, mbi të gjitha çlirimtarët e saj.
Teksti i rezolutës:
Për respektimin e procedurave gjyqësore dhe parimit themelor të një gjykimi të drejtë në nivel ndërkombëtar.
Zvicra kontribuoi ndjeshëm në krijimin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare në Hagë dhe vazhdon të denoncojë dhe ndjek penalisht krimet e gjenocidit, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës, përmes procedurave efektive dhe transparente.
Zvicra ratifikoi veçanërisht, në vitin 2001, Statutin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC), i njohur si Statuti i Romës, dhe përshtati ligjin e saj penal në përputhje me rrethanat.
Thënë kështu, lajmi i kësaj Gjykate të Drejtësisë është shqetësues. Në të vërtetë, çlirimtarët e Kosovës, pavarësia e të cilëve de fakto dhe de jure u njoh menjëherë nga Zvicra, po përballen me një procedurë të rëndë penale. Në veçanti, ish-presidenti Hashim Thaçi aktualisht ndodhet në paraburgim në Hagë.
Procedura i ngjan një nyje të vërtetë gordiane, pasi që në këtë fazë duket se ndikimet e jashtme politike kundër ish-presidentit Thaçi po ndërhyjnë në mbajtjen e një gjykimi të drejtë.
Duket qartë se hetimi i kryer nga drejtësia ndërkombëtare kundër tij sugjeron në mënyrë të arsyeshme një paragjykim dhe vë në masë të madhe në pikëpyetje vërtetësinë e fakteve me të cilat ai akuzohet.
Të shqetësuar për respektimin e rregullave themelore që kanë të bëjnë me një gjykim të paanshëm dhe të drejtë, nënshkruesit e kësaj rezolute kërkojnë nga Këshilli Federal që të sigurojë që gjykimet aktuale kundër ish-liderëve politikë të Kosovës të zhvillohen në drejtësi të plotë, në përputhje me parimet themelore të një sundimi i ligjit dhe në frymën strikte.