Parlamenti britanik voton kundër planit për përshpejtimin e Brexit-it
Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka thënë të martën se qeveria do ta tërheqë legjislacionin që lidhet me marrëveshjen e arritur me Bashkimin Evropian për Brexit-in derisa blloku të vendosë nëse do të ofrojë një shtyrje të datës së planifikuar për shkëputjen e Britanisë, 31 tetorit.
Duke folur pas vendimit të parlamentit për t’i hedhur poshtë planet e qeverisë për ta përshpejtuar miratimin e legjislacionit deri të enjten e javës që vjen, Johnson ka pohuar se “BE-ja tashmë duhet të ndajë mendjen se si do t’i përgjigjet kërkesës së parlamentit britanik për shtyrje të datës”.
“Do të bisedoj me vendet anëtare të BE-së dhe derisa ata të marrin një vendim ne do ta ndalim procesin e miratimit të ligjit. Më lejoni të jem i qartë, ne vazhdojmë të mbajmë qëndrimin se nuk duhet të ketë vonesa në këtë drejtim”, ka thënë Johnson.
Fillimisht u duk sikur kryeministri britanik Boris Johnson kaloi një pengesë të martën kur ligjvënësit miratuan në parim projektligjin e tij për largimin e vendit nga Bashkimin Evropian.
Por një votim tjetër i parlamentit po të martën në mbrëmje mbi një afat të përshpejtuar mbi shkëputjen i prishi planet e tij për ta larguar Britaninë nga blloku më 31 tetor.