Parlamenti Evropian miraton reformën për punësimin e lirë
Deputetët europianë miratuan sot një reformë për punësimin e lirë, çka u mundëson punonjësve pagë të ngjashme për të njëjtën punë në vendet ku ata shkojnë.
Me 456 vota pro, 147 kundër dhe 49 abstenime, Parlamenti Europian, i mbledhur në seancë plenare në Strasburg, miratoi këtë tekst që ka qenë objekt i negociatave prej më shumë se dy vitesh.
Në fillim të muajit mars, negociatorët e Parlamentit Europian ranë dakord me Këshillin që përfaqëson 28 vendet e Bashkimit Europian dhe Komisionin Europian.
Punësimi i lirë u mundëson europianëve të punojnë në një vend tjetër duke kontribuar në sistemin e sigurimeve shoqërore të vendit të tyre të origjinës.
Kjo çështje ka qenë një temë e diskutuar gjatë fushatës presidenciale franceze dhe marrëveshja europiane konsiderohet si një fitore nga presidenti, Emmanuel Macron, përcjell Atsh.
“Kjo direktivë e rishikuar do të mundësojë përmirësimin e kushteve të punës për punonjësit duke garantuar një konkurrencë më të ndershme mes kompanive europiane, që do të duhet të konkurrojnë për aftësitë e tyre dhe jo për të ashtuquajturat merita sociale”, deklaroi eurodeputetja franceze Elisabeth Morin-Chartier (PPE), pas votimit.