Parlamenti Evropian: Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme

24 shkurt 2021 | 12:27

Me 50 vota për, dhjetë kundër dhe nëntë abstenime, Komisioni për politikë të jashtme i Parlamentit Evropian ka miratuar raportin për Kosovën të përgatitur nga Viola Von Cramon-Taubadel, deputete e të Gjelbërve nga Gjermania.

Me këtë raport, Parlamenti Evropian u bën thirrje edhe një herë pesë shteteve të Bashkimit Evropian, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, që ta bëjnë një gjë të tillë. Spanja, Sllovakia, Rumania, Qiproja dhe Greqia janë pesë vende anëtare të BE-së nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Në një komunikatë të lëshuar nga PE-ja pas këtij votimi, thuhet se “deputetët nënvizojnë se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe njohja nga të gjitha shtetet e BE-së do të ishte në dobi të normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”.

Deputetët evropianë po ashtu kanë përsëritur edhe thirrjen për liberalizimin e vizave për Kosovën, pasi Komisioni Evropian qëmoti ka konstatuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara.

Para se të votohej për raportin si tërësi, ishte votuar për amendamentet e veçanta të prezantuara nga deputetët e Parlamentit Evropian.

Raportuesja për Kosovën, Viola Von Cramon, e cila edhe e kishte përpiluar tekstin e raportit, është shprehur e kënaqur me miratimin e këtij raporti.

“Ky rezultat tregon se shumica në Parlamentin Evropian e mbështesin Kosovën në rrugën evropiane. Ne qartë shohim potencialin e këtij vendi, por edhe të Bashkimit Evropian. Por, ende ka punë përpara për Kosovën. Së pari na duhet një stabilitet politikë për zbatimin e reformave të nevojshme”, ka thënë Von Cramon teksa ka komentuar votimin për raportin për Kosovën.

Ajo ka thënë se edhe BE-ja ka “detyra të shtëpisë” për të bërë.

“Prandaj kemi bërë thirrje për Këshillin (e BE-së) që më në fund të miratojë vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Von Cramon.

Në raport, Kosova kritikohet për mungesë të progresit të duhur në shumë fusha, sidomos në zbatimin e prioriteteve të agjendës së reformave evropiane.

 

Deputetët shprehën keqardhje për vazhdimin e jostabilitetit politik dhe u kanë bërë thirrje të gjitha forcave politike në Kosovë që të angazhohen për reformën e sistemit politik, në mënyrë që të përmirësohet qartësia ligjore dhe procesi i formimit të qeverisë.

Po ashtu, kërkohet që Kosova të sigurojë reformën e sistemit gjyqësor në mënyrë që ai të jetë më transparent, efikas dhe pa ndërhyrje politike. Në të njëjtën mënyrë, kërkohet edhe reforma e administratës publike.  Në raport përmendet se Kosova ka një “mjedis pluralist dhe të gjallë mediatik”, por kërkohet që të garantohet transparencë e plotë e pronësisë së mediave dhe pavarësia dhe liria nga ndikimet politike.

Anëtarët e Parlamentit Evropian kanë përsëritur thirrjet që raportet e Kosovës me Serbinë të mbetet prioritet dhe kusht për avancimin e të dyja vendeve në procesin e integrimeve evropiane.

Ata kanë kërkuar nga qeveritë e të dyja shteteve që të përmbahen nga çfarëdo veprime që mund të pengojnë krijimin e besimit mes palëve, që do ta vinin në rrezik vazhdimin konstruktiv të dialogut. Nga Kosova është kërkuar që të përballet edhe me problemet e brendshme në qasjen e saj ndaj dialogut me Serbinë, që ndërmjetësohet nga BE-ja.

Të njëjtën ditë në Komisionin e politikës së jashtme është miratuar edhe Raporti për Serbinë. Edhe Serbisë i është dërguar porosia që të jetë konstruktive në dialog me Kosovën.

Deputetët kanë kritikuar fushatën kundër BE-së në Serbi, përfshirë edhe në mediat e financuara nga shteti. Ata kanë kërkuar që udhëheqësit politikë në Serbi të shprehen qartë dhe pa hezitim për orientimin pro-evropian të Serbisë. Po ashtu, eurodeputetët kanë kërkuar nga Serbia që t’i bashkohet qëndrimeve të BE-së në çështjet e politikës së jashtme./rel/

 

Raportet për Serbinë dhe Kosovën, të miratuara në Komisionin e politikës së jashtme, do të barten në formën e propozimeve për rezolutë në seancë plenare të Parlamentit Evropian.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi i Komunës së Podujevës…