Parlamenti Evropian pritet të votojë për Brexit-in
Parlamenti Evropian në Bruksel pritet të votojë mbi ratifikimin e kushteve të largimit historik të Britanisë së Madhe nga BE-ja.
Akti i rëndësishëm legjislativ parashikohet të jetë i fundit për 73 anëtarët e mbetur britanikë të Parlamentit Evropian, midis 678 ligjvënësve të tjerë.
E njohur si Marrëveshja e Tërheqjes, ajo mbron të drejtat e shtetasve të BE-së dhe britanikëve që banojnë në territorin e njëri-tjetrit, detyrimet financiare të Britanisë dhe një sistem doganor që do të mbajë Irlandën Veriore kryesisht nën rregulla evropiane, raporton “AFP”.
Gjatë seancës pritet të ketë debate, fjalime lamtumire dhe madje edhe muzikë, ka raportuar “BBC”.
Miratimi i parashikuar i marrëveshjes së Brexit-it do të shkurorëzonte përfundimisht Britaninë e Madhe nga blloku, më 31 janar.
Britania e Madhe do të jetë vendi i parë që pas 47 viteve të anëtarësimit, do të dalë nga blloku politik dhe ekonomik, duke lënë pas 27 shtete anëtare.
Të dyja palët do të duhet të bëjnë një traktat për të përcaktuar të ardhmen e marrëdhënies së tyre.
Sapo Britania e Madhe zyrtarisht të dalë, flamuri i saj kombëtar do të ulet në mëngjesin e 1 shkurtit, jashtë Parlamentit Evropian, përpara se të shfaqet në një muze.
“Brexit është një humbje për të gjithë ne”, ka thënë zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Marosh Sefçoviq pas një takimi të rregullt të ministrave të BE-së, më 28 janar.