Parlamenti Evropian sot debaton për sulmin e 24 shtatorit në veri
Në selinë e Parlamentit Evropian sot do zhvillohet debat i jashtëzakonshëm lidhur me sulmin e 24 shtatorit në veri, ndërsa pritet së shpejti edhe miratimi i një rezolute.
Debati u iniciua nga socialdemokratët, grupit të dytë me i madh në Parlamentin Evropian.
“Ne dënojmë agresionin e fundit të një bande të armatosur terroriste kundër policëve të Kosovës. Të gjitha faktet rreth sulmit duhet të vërtetohen. Autorët përgjegjës duhet të përballen me drejtësinë”, thuhet në paralajmërimin e socialdemokratëve evropian.
Njëri nga iniciatorët e debatit, eurodeputeti Tonino Picula ka deklaruar se rezoluta e cila pritet të miratohet do prezantojë një vlerësim të qartë të Parlamentit Evropian për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, dhe pas sulmit të fundit terrorist në veri të Kosovës dhe vrasjes së një polici.
Picula pohon se përpos përgjegjësisë penale duhet të përcaktohet edhe përgjegjësia politike për përshkallëzimin e fundit të dhunës.
Ai paralajmëron se eurodeputetët do reflektojnë në rezolutë edhe pikëpamjet e tyre për rolin e ndërmjetësuesve evropian në dritën e bllokimit evident në zbatimin e planit për normalizimin e marrëdhënieve.
Debati për sulmin do zhvillohet të martën në mbrëmje ndërsa rezoluta pritet të miratohen në seancën e dytë plenare, në gjysmën e dytë të tetorit.
“Ne e dënojmë agresionin e fundit të terroristëve të armatosur ndaj oficerit të policisë së Kosovës. Të gjitha faktet për këtë sulm duhet të zbardhen dhe përgjegjësit të përballen me drejtësinë“, tha Picula.
Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serb në fshatin Banjskë, në komunën e Zveçanit më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Sulmuesit u strehuan në manastirin e fshatit, pasi e kishin sulmuar në një pritë një patrullë të policisë, nga ku e vazhduan konfrontimin me policinë, dhe si pasojë tre prej tyre u vranë.
Policia kosovare i arrestoi dhe i paraburgosi tre sulmues, si dhe gjeti arsenal të jashtëzakonshëm armësh në vendin e ngjarjes pas sulmit.
Serbia i ka mohuar akuzat e Kosovës se ajo është përfshirë në këtë sulm të cilësuar si terrorist nga autoritetet kosovare.
Për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, ecurinë e dialogut dhe tensioneve në veri, do të diskutohet të martën me 3 tetor në një seancë plenare të Parlamentit Evropian.
Pesë ditë pas sulmit, Millan Radoiçiqi e mori përgjegjësinë për këtë sulm, dhe dha dorëheqje nga posti i nënkryetarit të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila e ka mbështetjen e Qeverisë serbe.
Sulmi në veri ndodhi rreth dy javë pasi Kurti dhe Vuçiqi dështuan të arrijnë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve gjatë takimit të nivelit të lartë të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimit Evropian më 14 shtator në Bruksel.
Prishtina beson se duhet të jetë një njohje reciproke, ndërsa Beogradi insiston në një zgjidhje kompromisi.
Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e shpallur më 2008, dhe ka mbështetjen e aleatëve Rusisë dhe Kinës kundër saj për këtë.