Parlamenti i Iranit shkarkon ministrin e ekonomisë
26 gusht 2018
| 14:55
Parlamenti i Iranit ka votuar për të shkarkuar ministrin për Çështje Ekonomike, teksa Qeveria e presidentit Hassan Rohani po përballet me pakënaqësi në rritje, për shkak të gjendjes ekonomike të vendit.
Në Parlament, 137 ligjvënës votuan për shkarkimin e Masoud Karabasian, duke thënë se ai ka qenë “i paaftë për të përmirësuar ekonominë e vendit”.
Ndërkaq, 121 ligjvënës votuan që Karabasian të vazhdojë udhëheqjen e Ministrisë së Ekonomisë.
Shkarkimi i ministrit të Ekonomisë, vjen në kohën e përkeqësimit të gjendjes ekonomike në vend, pas rivendosjes së sanksioneve nga Shtetet e Bashkuara.
ShBA u tërhoq nga marrëveshja bërthamore mes Teheranit dhe fuqive botërore të arritur më 2015 dhe rivendosi sanksione të ashpra ekonomike ndaj Iranit.