Parlamenti i Ukrainës pranoi dorëheqjen e ministrit të Jashtëm Kuleba
Parlamenti i Ukrainës ka votuar të enjten dorëheqjen e ministrit të Jashtëm Dmytro Kuleba, ka thënë një ligjvënës ukrainas.
Presidenti i këtij vendi, Volodymyr Zelensky, ka urdhëruar një riorganizim të madh të qeverisë, duke thënë se Ukraina ka nevojë për “energji të re” në një moment vendimtar në luftën kundër Rusisë, raporton “Reuters”.
Gjithsej gjashtë ministra, duke përfshirë ministrin e Jashtëm, Dmytro Kuleba, kanë paraqitur dorëheqjen e tyre.
Ato përfshinin dorëheqjet e një zëvendëskryeministri përgjegjës për integrimin evropian, ministrit Strategjik të Industrisë që mbikëqyr prodhimin e armëve të Ukrainës dhe dy ministrave të tjerë.
“Ne kemi nevojë për energji të re sot, dhe këto hapa kanë të bëjnë vetëm me forcimin e shtetit tonë në drejtime të ndryshme”, ka thënë Zelensky për mediet gjatë një konference të përbashkët shtypi me kryeministrin irlandez, Simon Harris.
Pas Zelenskyt, 43-vjeçari Kuleba ishte fytyra më e njohur e Ukrainës jashtë shtetit, duke takuar liderë në mbarë botën dhe duke lobuar për mbështetje ushtarake dhe politike.