Parlamenti i Maqedonisë e rikthen në rend dite ligjin për gjuhët
Parlamenti i Maqedonisë vendosi në rend dite të seancës së ditës së hënë, ligjin për përdorimin e gjuhëve.
Ky ligj ka hyrë në parlament në lexim të tretë, me që presidenti Gjorgje Ivanov refuzoi ta dekretojë atë, pasi shumica parlamentare e miratoi atë më 11 janar.
Deputetët e partisë opozitare VMRO-DPMNE po përpiqen ta bllokojnë miratimin e ligjit. Ata janë kthyer në parlament pas një bojkoti prej disa javësh, ndërkohë që kanë propozuar mbi 30 mijë amendamente ndaj ligjit për gjuhët. Ata, po ashtu e quajnë ligjin si anti-kushtetues dhe që “dëmton interesat e Republikës së Maqedonisë”.
Ligjvënësit opozitarë, edhe pa i ardhur radha ligjit të gjuhëve, përdorin taktika të ndryshme, duke kërkuar secili prej tyre ndryshimin e vendit të pikave të rendit të ditës së seancës parlamentare.
Nga ana tjetër, dhjetëra protestues u mblodhën jashtë parlamentit, për ta kundërshtuar atë që në opinionin publik, njihet si ligji për gjuhën shqipe. Ligji për gjuhët parashikon zgjerimin deri në zyrtarizim të gjuhës shqipe në Maqedoni.
Nëse parlamenti nuk gjen ndonjë mënyrë për anashkalimin e mijëra amendamenteve të opozitës, sipas ekspertëve, procesi do të zgjaste jo me muaj, por për vite të tëra./VoA