Parlamenti shkarkon presidentin Ilir Meta
Me 104 vota pro, 7 kundër dhe 3 vota abstenim, Kuvendi i Shqipërisë ka shkarkuar me votim të fshehtë presidentin e Republikës, Ilir Meta.
Për herë të parë në historinë e pluralizmit shqiptar parlamenti voton për shkarkimin e një presidenti.
Pas një debati që zgjati rreth katër orë, kuvendi fillimisht votoi raportin nga Komisioni Hetimor për shkarkimin e presidentit, Ilir Meta me 104 vota për, shtatë kundër, dy abstenim dhe një fletëvotimi ishte i pavlefshëm.
Iniciativa për shkarkim, sipas Kushtetutës, duhet të mbështetet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij ose 94 deputetë.
Më pas, Kushtetuta parasheh që vendimi i kuvendit t’i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, e cila deklaron shkarkimin e presidentit kur vërteton fajësinë e tij, apo shkeljet kushtetuese që i ka nxjerrë raporti dhe kuvendi i ka votuar.