PARODIA NË SKENËN E TEJDUKSHME

13 dhjetor 2018 | 11:31

Nexhat Rexha

Faktori kohë në rrjedhat shoqërore bashkë me njeriun krijojnë të dukshmen dhe të tejdukshmen. Në realitetin e kohëve, ngjarjet krijojnë rrjedhën e tyre në mënyra nga më të ndryshmet, ato vijnë me fishkëllimat sporadike të valëve e të pakënaqësive nëpër aktualitetet e rrethanat politike. Libri me poezi satirike i Izet Abdylit “Fundi i perandorëve”, në problematikën e shtjelluar, brenda poezive ka të ngjeshura pika të dalluara, të cilat specifikojnë me ngjarje e veprime të aktualitetit tonë. Izet Abdyli bashkëudhton me ngjarjet e Kosovës për disa dekada, duke qenë edhe vetë bartës i proceseve shtetëformuese në shoqërinë tonë. Nëpër këto procese, ai ka përjetuar nga afërsia luftën e krismave serbe dhe si protagonist i drejtpërdrejtë e bartës i përgjegjësive edhe në ditët më të vështira të fundshekullit të kaluar. Duke qenë përjetues i shumë skenave të rënda shoqërore, ai në shkrimet e tija ndjen kohët e dhembshme, sepse vetë ka ecur nëpër këto ngjarje të mundimshme. Duke i përjetuar në shpirtin e tij prej intelektuali ditët e vitet e rënda të robërisë, ato e rikthejnë penën e tij nëpër këto vlime që domosdo kërkojnë shpalim të faqeve historike.

Poezia e këtij vëllimi është vazhdimësi e përditshmërisë së traumatizuar në shumë sfera të shoqërisë sonë. Në këto rrafshe të diktueshme të jetës me të papritura e pakënaqësi tek shumica e popullatës, vijnë edhe frymëzimet poetike, të cilat prekin shumë pika që shihen e diskutohen në përditshmëri. Kjo formë e komunikimit artistik në poezinë e sotme ka trajtim të paktë, ani pse poezia e sotme shkruhet me shumicë në kulturën tonë. Vetë realiteti politik në rrethanat e sotme është bë, e po bëhet vetë poezi satirike në disa fusha shoqërore.

Izeti duke bashkëjetuar në të gjitha këto procese me njeriun e vendlindjes dhe të gjitha trevave të Kosovës, ka depërtuar në përjetim të dilemave shoqërore që krijojnë objektiven e dhembshme në skenën politike. Vlera dhe antivlera e dijes si dhe e moralit të kësaj kohe, sikur po e nëpërkëmbin, njeriun e sakrificës e bartësit e proceseve të lirisë. Në këto depërtime, poezia e shkruar në këtë frymë lejon, krijon mundësi të prekjes së pikave të ndjeshme përmes fjalës sa të thjeshtë, po aq edhe artistike. Vetë zhanri i poezisë satirike të jep mundësinë e shkrirjes së figuracionit të dukshëm, në interpretim të asaj që ironizon me vetë faktorin kohë.

Krijimi i raporteve shoqërore në poezinë e Izetit krijon dimensionin përafrues të asaj që shihet e diskutohet në çdo pjesë të Kosovës. Poezia si e këtillë është ndërtuar në raportet e përditshmërisë, si element i veprimeve shoqërore në ndërtimin e shtetit të Kosovës. Njohja e prekja e gjërave nga afërsia, kanë krijuar motivimin depërtues në tematikën e parashtruar në vepër. Motivet poetike ndërlidhin karakteret e veprimet e qytetarit tonë në shumë fusha të jetës, ato krijojnë disonancat e tyre nëpër bashkëbisedimet e njerëzve. Tematika e shtruar në të gjitha poezitë e këtij vëllimi të ambienton në dialektikën e këtyre proceseve, si mundësi për të arrirë në kahet e zhvillimit politik dhe ngecjeve të shumta që e kanë kapluar vendin tonë. Mirëpo, brendia e poezive ka autencitetin e ndërtimit në pikëpamje të përkufizimit të arrirë artistik.

Poeti ndërtimin e përgjithshëm artistik e konkretizon me shfaqjen e dukurive reale, me analogjitë e realitet pa diferencime, sepse vetë jeta dhe arti nëpër kohë ka aktualizuar se poezia satirike krijon mundësinë e shqiptimit të dukurive të dëmshme shoqërore. Kështu, në fokus vihet e ardhmja që dëmton imazhin dhe arritjet e nevojshme shoqërore, të cilat duhet të tejkalojnë kohët e robërisë. Arti i mirëfilltë në një mënyrë apo tjetër është katalizator ndihmues për largimin e të keqes në shoqëri. Theksimi identifikues përcakton edhe nivelin e fuqisë, që nënkupton shkallëzimet ekstreme të dallimeve e pritjeve të gjata në renditjen e vlerave njerëzore në shoqëri. Duke i përjetuar këto periudha e ndryshime, Izeti ato i aktualizon përmes vargut poetik, i cilëson si lidhje e radhitje të pakëndshme të proceseve tona. Libri “Fundi i perandorëve”, është kompleks i shtresuar, për të arrirë në testamentin konkretizues, qoftë si shfaqje apo si aktualizim i rrjedhave që e kanë kapluar shoqërinë tonë.

Dokumentarit si përjetim e njohje ka shfaqjet e veta në shtrirjen e arsyes për të vlerësuar diturinë në realitetin e sotëm, dituria si vlerë, realitet dhe dituria si metaforë nuk konsistojnë në objektiven e të ardhmes. Shkollimi i lartë universitar, sot në hapësirat tona ka depërtuar, jo si avancim për të tejkaluar kohët e pengesave të diturisë, përkundrazi, arsimimi ka depërtuar në kuantitet modern. Në poezinë “Poshtë ka ra katandi”, problemin e përshkallëzimit në këtë fushë, ndër më të rëndësishmet në ndërtimin e shtyllave kryesore të shtetit, artikulojnë në brendi vargjet përmes ligjërimit poetik, ata fiksojnë: “sot u ka ardh dita/ e vera kah dera/do që brenda natës/po bahen mastera”.

Poezia përmes aktualizimeve të shumta ndihmon e ruan edhe proceset historike, të cilat komunikojnë me të gjitha shtresat njerëzore. Roli i njeriut në ndryshimet e proceseve politike në poezinë e Izetit është i hapur, si në poezitë: “Partitë te tepsia”, “Halli i kulaqit”, “Kamarier kryepari”, “Monolog i plakut nga Drenica”, “Aderimet partiake” etj, janë pikat më vrojtuese të autorit, të cilat krijojnë përshtypjet më funksionale në lexim dhe në përjetim. Këto refleksione e fjalë të mëdha nëpër fushata zgjedhore, peshojnë e rëndojnë sistemin e ngritjes së emocioneve nëpër tubimet e të gjitha partive politike, ato sikur rriten në kapacitetin e fjalëve mashtruese e boshe. Pastaj, vjen zhgënjimi dhe mos efikasiteti në zgjedhjen e më të duhurve. Sepse vetë atmosfera e një trivialiteti simpatizuesish, ngatërrojnë pikat kulminante të drekave e darkave nëpër këto fushata parazgjedhore. Dalja në skenën e televizioneve, shfaqet në motivet më të ulëta përmes disa protagonistëve, të cilët bëhen objekt bisedimesh për qytetarin e të gjitha shtresave. Niveli i ruajtjes së vlerave të emblemës kombëtare të UÇK-së, sikur me listat e fryra e ka irrituar autorin si shumë kënd në këtë kohë, sepse ai edhe vetë ishte në ballë të kësaj lufte në mbrojtje e ndihmë të qytetarit tonë, aty ku jetoi e veproi gjatë periudhës së luftës në Kosovë. Pastaj hierarkia politike ka tejkaluar elegancën e dukjeve nëpër portalet tona, ato sikur ia humbin imazhin vetë kryeprotagonistëve të kohës, sepse ata nuk janë kursyer nga syri i kamerës, kështu disa skena e shfaqje, kur reprizojnë në veprimet e tyre ato të kthejnë në zhgënjim. Shtrohet çështja, se a mund të ndryshohet bota me poezi?, logjikën e kohës ajo nuk ndryshon. Mirëpo, në botën e ndërdijen e shtresave më të ngritura të atdhetarizmës, bota e artit depërton në ngritjen e vetëdijes për të ardhmen e cilësdo shoqëri njerëzore qoftë ajo , e pse mos të ndikojë edhe në shoqërinë tonë.

Vepra e Izet Abdylit “Fundi i perandorëve”, me satira poli(e)tike II, me të gjitha artikulimet e brendshme, gjatë shfletimit të saj të jep një frymëmarrje më të lehtë. Parodia nëpër vargje të krijon atmosferën e pushtetit të lirë në motivim të mospranimit e të paragjykimit të servuar. Grotesku si vërshim i të sotmes, së paku krijon qëllimin e admirimit në origjinën e fjalës së bukur artistike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Cristiano Ronaldo mohon zërat se ai dhe Georgina Rodriguez do…