Parsons: Jam krenar që flamuri i Kosovës do të valoj në Lojërat Paralimpike ‘Paris 2024’
Komiteti Paralimpik i Kosovës ka mbajtur të martën konferencë për media, në përfundim të vizitës së presidentit të Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar në Kosovë, Andreë Parsons.
Presidentja e KPK-së, Njomza Emini u shpreh e lumtur për vizitën e Parsons në Kosovë, teksa theksoi që kjo vizitë e realizuar pak muaj pas anëtarësimit në këtë komitet, është dëshmi shtesë e mbështetjes që Kosova po pranon në arenën ndërkombëtar.
“Vizita e Parsons në Kosovë është sinjal i qartë i mbështetjes, reflektim për punën dhe përkushtimin e komitetit tonë, por edhe mesazh për këdo në botë që ne jemi të barabartë dhe meritojmë trajtim të tillë”, ka thënë Emini, e cila ka shtuar që njëtrajtësisht me rritjen e privilegjit, është rritur edhe përgjegjësia e KPK-së, përderisa sivjet, Kosova do të shënojë debutimin në garën më të madhe ndërkombëtare të para sportit, Lojërat Paralimpike Botërore “Paris 2024”. Në anën tjetër, presidenti Parsons falënderoi presidenten Emini për mikpritjen e ngrohtë. Ai vlerësoi lartë takimet me nivele të ndryshme të qeverisjes dhe ka thënë që nga kjo vizitë tri ditore, ka kuptuar shumë për sfidat me të cilat përballët Komiteti Paralimpik në Kosovë.
“Unë jam krenar, e ashtu duhet të jeni edhe ju, përderisa për herë të parë do e shihni edhe flamurin tuaj në ceremoninë hapëse të Lojërave Paralimpike Botërore, më 28 korrik në Paris. Është nder edhe për ne ta shohim flamurin tuaj duke u valvitur”, ka thënë Parsons. Ai theksoi që vizioni i parasportit në Kosovë nuk është vetëm paralimpizmi, por përdorja e sportit për krijimin e një bote gjithëpërfshirëse.
Në këtë konferencë, rreth para sportit dhe vizitës së Parsons në Kosovë folën edhe nënkryetari i Komitetit Paralimpik, Daut Tishukaj dhe Anton Nrecaj, kryetar i Federatës së Paranotit. Gjatë vizitës tri ditore, nën koordinimin e Komitetit Paralimpik të Kosovës, presidenti i Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar ka zhvilluar takime me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurtin, kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufcen dhe ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çekun, si dhe me para atletë e partnerë të para sportit.
Komiteti Paralimpik i Kosovës, rreth gjashtë muaj më parë është anëtarësuar në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar. Sivjet, para sportistët kosovar do të debutojnë në lojërat ndërkombëtare duke marrë pjesë në Lojërat Paralimpike Botërore, që do të zhvillohen në Paris.