Parti politike, mjekë, artistë, sportistë, organizata…“Marshojmë për Drejtësi” merr mbështetje madhore popullore
Iniciativa “Marshojmë për Drejtësi” në solidarizim të ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë ka marrë mbështetje të madhe nga figura të rëndësishme publike, nga skena politike, artistike dhe nga veprimtari të tjera shoqërore.
Marshi, i cili është iniciativë e platformës “Liria Ka Emër”, pritet të mbahet të dielën, më 02 prill në sheshet e Prishtinës nga ora 14:00, shkruan Demokracia.com.
Këtij marshi fillimisht i ka dhënë mbështetje Partia Demokratike e Kosovës. Kryetari i këtij subjekti politik, Memli Krasniqi, ka mbështetur këtë marsh dhe ka ftuar qytetarët e Republikës së Kosovës që të jenë pjesëmarrës.
“Në emrin tim dhe të Partisë Demokratike të Kosovës, mirëpres dhe mbështes marshin për drejtësi të ftuar nga iniciativa “Liria Ka Emër”, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po mbahen në Hagë. Ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës që t’i bashkohen këtij marshi solidarizues, për të shprehur hapur mbështetjen dhe bindjen e palëkundur mbi pastërtinë dhe drejtësinë e luftës tonë çlirimtare”, deklaroi Krasniqi.
Pjesëmarrjen në këtë marsh e kanë konfirmuar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Nga ky fraksion politik, me anë të një komunikate për media, kanë thënë se beson në pafajësinë e ish-krerëve të UÇK-së.
“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, mbështet marshin për drejtësi që organizohet këtë të diel. Ne gjithmonë kemi besuar në pafajësinë e pjesëtarëve të UÇK-së dhe në vlerat e lirisë dhe e kemi mbështetur drejtësinë ndërkombëtare me qëllim të pastrimit të luftës së drejtë të popullit shqiptar për liri”, u tha në njoftimin e tyre.
Ecjes solidarizuese në sheshet e Prishtinës për ish-krerët e UÇK-së mbështetje i ka dhënë edhe kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj. Ai ka shpërndarë një video të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, për akuzat e rënda që ia bënte ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit dhe ka thënë se kjo është një arsye më shumë për pjesëmarrje në marsh.
“Një arsye më shumë për t’marshuar të dielën, më 2 prill! Ndani 2 minuta dhe shiheni këtë video! Edhe një arsye e fortë shtesë që të gjithë të dalim në marshin solidarizues me krerët e UÇK-së që po gjykohen padrejtësisht në Hagë. 2 prill, ora 14:00, sheshi “Zahir Pajaziti”, ka shkruar Molliqaj.
Mbështetje ka ofruar edhe Lëvizja Për Bashkim, duke thënë se e ka parë “organizimin e kësaj proteste të nevojshme dhe të domosdoshme”.
Organizatat, në mbështetje të “Marshojmë për Drejtësi”
Marshin për drejtësinë ndaj ish-krerëve të UÇK-së e kanë mbështetur edhe shoqatat e dala nga lufta, ajo e Pensionistëve të Kosovës shoqata e të burgosurve politikë dhe Gratë e Krushës.
KMDLNJ, po ashtu, ka njoftuar për mbështetje të marshit, duke ripotencuar “shkeljet e shumta që iu janë bërë dhe po iu bëhen udhëheqësve ushtarakë dhe institucionalë”.
“KMDLNj shumë herë ka reaguar kundër shkeljeve të shumta që iu janë bërë dhe po iu bëhen udhëheqësve ushtarakë dhe institucionalë gjykimi i të cilëve është paraparë të nisë më 3 prill 2023 dhe i konsideron të pafajshëm duke respektuar parimin e prezumimit të pafajësisë i cili në mënyrë brutale është shkelur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe Dhomave të Specializuara në shumë raste. Në këtë kontekst KMDLNj ka përkrahur dhe do ta përkrahë çdo protestë, demonstratë apo manifestim që respektojnë rregullat demokratike në mbrojtje të të drejtave dhe drejtësisë të Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit, si në diasporë ashtu edhe brenda vendit”, u tha në njoftimin e KMDLNJ-së.
Edhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës i ka dalë në mbështetje marshit solidarizues për ish-krerët e UÇK-së.
Platforma “Liria Ka Emër” ka njoftuar edhe për mbështetjen e dhënë nga Sindikata e Punëtorëve të Feronikelit.
Figurat publike, solidaritet të plotë me ish-krerët e UÇK-së
Kryetari i Qendrës Burimore për Persona të Pagjetur, Bajram Çerkini, ka konfirmuar pjesëmarrjen dhe iu ka bërë thirrje të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës të dalin në marshin e organizuar nga platforma “Liria ka Emër”, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë.
“Krenaria e Kosovës janë brenda telave.. Duhet të gjithë Kosova që quhet të thotë që krenaria e Kosovës gjendet në Hagë dhe bashkësia ndërkombëtare është duke bërë një gabim të madh kur janë të vrarë mijëra fëmijë dhe shumë gra të dhunuara dhe shumë të zhdukur dhe askush nuk merr përgjegjësi…Është mëkat i madh…në vend që ata kriminelë të futen brenda në burg, ata shëtitin nëpër qytetet kryesore të ish-Jugosllavisë, askush nuk interesohet për t’i paditë ata”, ka thënë Qerkini.
Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, ka mbështetur marshin, duke shtuar “Liria ka një emër: UÇK!”.
Ragmi Mustafa, kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare, ka thënë se në emër të subjektit të tij politik “mirëpres dhe mbështes marshin për drejtësi të ftuar nga iniciativa “Liria Ka Emër”, në mbështetje të luftës së drejtë të UÇK-së dhe ish-krerëve të saj, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarëve të tyre në Hagë”.
Deputetë të PDK-së në Kuvendin e Kosovës dhe nënkryetarja e këtij subjekti politik po ashtu kanë thënë se do të jenë pjesë e marshit për drejtësi.
Shaqir Totaj, Bedri Hamza, Ramiz Lladrovci, Bali Muharremaj, Smajl Latifi janë ndër kryetarët e komunave të Kosovës që kanë mbështetur marshin solidarizues për ish-krerët e UÇK-së.
Nëna Ferdonije Qerkezi ka mbështetur iniciativën e “Liria Ka Emër” duke thënë se “lufta për liri është e krejt popullit”.
Përgjatë së shtunës, mbështetjen ndaj “Marshojmë për Drejtësi” e ka ofruar edhe ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Vasfije Krasniqi Goodman. Ajo ka përkujtuar se mbi 20 mijë gra në Kosovë janë viktima të dhunës nga forcat serbe dhe se ata që po gjykohen janë ish krerët e UÇK-së.
“Drejtësia – kaq shumë e kërkuar nga unë dhe mbi 20 mijë gra tjera në Kosovë, viktima të dhunës seksuale, nuk erdhi asnjëherë. Kriminelët serbë, shkaktarë të këtyre dhunimeve, akoma enden të lirë nëpër Serbi. Fatkeqësisht, sot, të vetmit të cilët po ballafaqohen me një proces gjyqësor janë çlirimtarët tanë, ish-krerët e UÇK-së”, ka thënë ish-deputetja Krasniqi Goodman.
Edhe stafi shëndetësor i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) të Mitrovicës “Dr. Nexhat Çuni” ka përkrahur marshin për drejtësi.
Artistët në mbështetje të “Marshojmë për Drejtësi”
Në mesin e këngëtarëve që i janë bashkuar thirrjeve për marsh është edhe këngëtari i mirënjohur Sabri Fejzullahu.
Mbështetje marshit i ka dhënë edhe këngëtarja Dafina Zeqiri.
Thirrjeve për marshin e drejtësisë i është bashkuar edhe reperi i njohur, Lyrical Son.
Thirrjes për t’u solidarizuar me krerët e UÇK-së i është bashkuar edhe këngëtarja Kida.
Mbështetje për “Marshin për Drejtësi” ka ardhur edhe nga këngëtari Edi Furra.
Pjesë e marshit do të jetë edhe këngëtari Asim Gashi.
Edhe përfaqësuesit studentorë nga Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup të Maqedonisë së Veriut dhe ata në Mitrovicë, Gjakovë e Pejë kanë konfirmuar pjesëmarrjen për marshim solidarizues për ish-krerët e UÇK-së.
Të dielën, më 2 prill, në Prishtinë, platforma “Liria ka emër”, nga ora 14:00 organizon Marsh qytetar dhe solidarizues në mbështetje të luftës së drejt të UÇK-së dhe ish-krerëve të saj, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarët e tyre në Hagë.