”Partia do ribëhet”, Meta në Konventën Kombëtare paralajmëron ata që nuk janë pro tij
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në fjalimin e tij në Konventën Kombëtare – që po zhvillohet këtë të shtunë në Pallatin e Kongreseve – zgjodhi të kërkojë një falje publike.
Ai premtoi se, kjo do të ishte konventa e fundit e Partisë së Lirisë me gjysmë ore vonesë.
Meta paralajmëroi se shumë shpejt do të mbahet një konventë e re për një parti të re – që duhet përballë këtij regjimi.
“Këtë regjim e gënjen mendja se do të marrë dhe vulën e PL-së dhe të shuaj opozitarizmin dhe garantojë diktaturën. Do të kemi raste për fjalime të bukura”.
Më tej në fjalën e tij, Meta kishte edhe një paralajmërim për të gjithë anëtarët e Partisë së Lirisë: Kush është pro të qëndrojë dhe të tjerët të ikin.
Ish-presidenti tha se kundër tij në kohën si kreu i shtetit është derdhur para e madhe.
Meta rrëfeu se asokohe ka bërë një gabim.
“Gabimin e bëra që natën e zgjedhjeve, se ikja të bëja presion ndaj mafies dhe Mcgonigal, që nxitën gjakrat në Kavajë apo vrasjen e në Elbasan, që kishin plan ta linin opozitën me 20 mandate, unë i vetëm bëja presionin që duhet të bëja për të shpëtuar pluralizmin”.
Ai theksoi se i dhimbsej partia që kishte krijuar.
“Ilir Meta ka bërë shkollën e Ramiz Alisë, të Nanos, Berishës dhe shumë të tjerëve për t’u përballur me këtë mafie. Gabimi që bëra është se LSI shkoi me 6%”.
Kështu ai tha se ishin dy kompani izraelite që koordinonin bashkë, që kishin lidhje bashkë.
“Njëra punonte për Ramën, e tjetra për Bashën, e të dyja bashkë kundër LSI”.
Në Konventë, Meta solli shembujt e Vasil Laçit dhe Vojo Kushit, si shembuj patriotizmi dhe atdhetarie.
Ai gjithashtu theksoi se duhet kopjuar strategjia e Partisë Socialiste për menaxhimin e mediave sociale.
Kështu Meta u ka bërë thirrje të rinjve që të bëjnë like dhe share.
“Kam ekipin e monitorimit për share dhe likeunë nuk jam i apasionuar. Por mos kujtoni e Edi Rama është budalla, po të ishte nuk rrinte 12 vite në pushtet. Ai bën mbledhje qeverie vetëm për të diskutuar si administrata e patronazhistëve është ne rregull apo jo me planin e komenteve dhe me radhë”.
Mesazhet e Metës
Do të luftojmë me nepotizmin brenda partisë dhe jo vetëm.
Ky ishte mesazhi i përcjellë nga kryetar i Partisë së Lirisë.
Meta nga ambientet e Pallatit të Kongreseve hodhi poshtë se do të ketë përjashtime dhe pse një gjë e tillë tashmë është fakt nga lista e prezantuar e Kryesisë.
Ai theksoi se Monika Kryemadhi është deputete dhe anëtare e Komitetit drejtues të partisë së tij.
Kjo referuar deklaratës së saj se ndihej e keqardhur për përjashtimin.
“Kush e gënjeu Monikën? Monika Kryemadhi është deputete, dhe mund të zgjidhet deputete sa herë që të dojë. Ajo ka dyfishin e votave, dyfishin e Luçiano Boçit. Ajo është anëtare. Do të luftojmë nepotizmin. Kjo nuk është një konventë kundër Monikës”.
Më tej ai dhe dhe një shembull.
“Nuk dinte Stalini t’i shpëtonte jetën djalit të tij që e morën peng gjermanët. I vajtën atij kur i zunë peng gjermanët djalin dhe i thanë ta shpëtojmë, a e dini çfarë ju tha, ju dhimbset juve më shumë djali im se mua, po çfarë tu them popullit dhe nënave pastaj unë”.
Çfarë pritet të ndodhë
Forumi është i dyti në një hark kohor dy-vjeçar. Kjo pasi me 25 korrik 2022, pas përmbushjes së mandatit kushtetues si president, Ilir Meta u rikthye në Lëvizjen Socialiste për Integrim, ku pasi u votua si drejtues ia ndërroi emrin në Partia e Lirisë.
“Pensionistët janë kryefjala e Programit tonë, ndaj do të kemi mbi 300 pensionistë të nderuar nga të gjitha trevat e vendit, veteranë të Luftës Antifashiste, pasardhës të tyre dhe familjarë të Heronjve e Dëshmorëve të rënë për lirinë e Shqipërisë”, u tha nga PL-ja.
Por përpos agjendës së mirëpërcaktuar vëmendjen do ta marrë “lufta e brendshme” në seli.
“Do të godasim nepotizmin në parti sepse ka qenë një shqetësim dhe problem i madh. Do t’i japim goditje krahinalizmit dhe do jemi partia më demokratike në Shqipëri, më e organizuara dhe më e fuqishme sa i takon ekzekutimit”, paralajmëroi Meta ditë më parë.
Ai e cilësoi udhëheqjen e bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, në krye të Lëvizjes Socialiste për Integrim, si një lidership kakofonik.
Në përballjen e tyre të parë në publik në Komitetin Drejtues Kombëtar Kryemadhi i është përgjigjur në lidhje me nepotizimin në parti.
“Të vendoset pikë staturore që buxheti i fushatave elektorale të jetë i qartësuar qartë në statut në përdorim për të gjitha gratë dhe vajzat kandidate që do të jenë kandidate në këshillin kombëtar. Po dëgjojmë vetëm nepotizëm prej 2 javësh. Do tu isha mirënjohëse të më përcaktonin se çdo të thotë fjala nepotizmi në partinë politike. Parti politike do të thotë bashkim kombëtar dhe nuk ka asnjë fjalë në ligjin për partitë politike për nepotizëm. Personat që e kanë hartuar të më argumentojnë fjalën nepotizëm. Në një parti politike rëndësia më e madhe është meritokracia”.
Por kjo nuk e ka ndalur Metën që të mos e përfshijë ish-nënkryetarin e Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari, – i konsideruar si një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Kryemadhit – në listën e Kryesisë së re.
Pasi të votohet si president i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, së bashku me Kryesinë e tij do të rreshtohen në mitingun demokrat.
E gjitha do të përfundojë me marrjen e “bekimit” poshtë dritares së Sali Berishës.