
Partia e Gjukanoviqit: Abazoviqi i është larguar rrugës së BE-së
Deputeti i partisë së presidentit malazez, Milo Gjukanoviq, Jevto Erakoviq ka treguar edhe qëndrimin e partisë rreth shkarkimit të qeverisë së udhëhequr prej kryeministrit Dritan Abazoviq.
Ai ka vlerësuar se nuk ka pasur qeveri të tillë në historinë e parlamentarizmit malazez.
“Pak a shumë performanca mund t’i atribuohet kryeministrit. Ai la rrugën kryesore për në Bashkimin Evropian (BE) që ishte përcaktuar dhe për të cilën ne i dhamë mbështetje. Na mashtroi neve, por edhe partnerët ndërkombëtarë. Sekret, i fshehur, i paparalajmëruar. Ato ishin fjalët dominuese kur përshkruajmë punën e qeverisë”, ka thënë Erakoviqi.
Ai ka thënë se ka pasur edhe shkatërrim të sistemit të sigurisë, ekonomik, shëndetësor, etj.
“Për interesat e kujt? Ata që nuk duan të mirën për këtë vend apo për qytetarët e tij”, i është kundër përgjigjur Abazoviqi, Erakoviqit.
Ndryshe, 36 deputetë kanë iniciuar kërkesën për votën e mosbesimit ndaj qeverisë malazeze, ndërsa duhen votat e 41 parlamentarëve për largimin e Abazoviqit nga posti i kryeministrit.