Partia e kryeministrit çek prin në zgjedhjet parlamentare
Partia populiste ANO e kryeministrit çek, Andrej Babis duket se po udhëheq në zgjedhjet parlamentare, por ende është e paqartë nëse lideri miliarder do të jetë në gjendje që të krijojë një koalicion qeveritar.
Sipas projeksioneve të CNN Prima News, pas mbylljes së vendvotimeve më 9 tetor, ANO do të dalë si parti e parë me 27.8 për qind të votave, e pasuar nga dy koalicione opozitare: koalicioni i qendrës së djathtë “Së bashku” me 26.4 për qind të votave dhe i liberalëve Piratët/Grupi i kryetarëve të komunave me 15 për qind. Këto dy koalicione janë zotuar se do të punojnë së bashku që të largojnë nga pushteti partinë e kryeministrit të Republikës Çeke, Babis, raporton Rel.
Këto zgjedhje po shihen si test për popullaritetin e kryeministrit aktual, Andrej Babis, pasi janë parashtruar një sërë pyetjesh për biznesin e tij dhe kompanive offshore, por edhe për mënyrën e menaxhimit të pandemisë Covid-19.
Dy partitë më të vogla që aktualisht gjenden në qeveri – Socialdemokratët dhe Partia Komuniste – mund të mos fitojnë mjaftueshëm vota për të pasur ulëse në parlament.
Një gjë e tillë mund të shtyjë partinë ANO që të kërkojë të arrijë marrëveshje me nacionalistët e ekstremit të djathtë, me qëllim që të qëndrojë në pushtet.
Një tjetër opsion mund të jetë që qeveria të krijohet nga dy blloqet opozitare të qendrës së djathtë dhe të qendrës së majtë, që sipas sondazheve, nëse këto blloqe bëhen bashkë, do të kenë numrat e duhur për ta formuar qeverinë.
Babis, 67 vjeç, ka qenë në qendër të hetimeve të Komisionit Evropian lidhur me dyshimet për konflikt interesi.
Ai po ashtu përballet me një hetim mbi akuzat se ka tërhequr në mënyrë të parregullt një subvencion nga Bashkimi Evropian dhe sipas raportimeve mediale, ai i ka përdorur firmat offshore për të blerë prona të paluajtshme në Francë.
Babis ka mohuar çdo keqbërje në këto tri raste. Ai madje e quajti si një fushatë shpifjeje zbulimet që dolën nga ato që njihen si Letrat e Pandorës.
Popullariteti i tij ka rënë gjithashtu për shkak të mënyrës sesi qeveria e tij ka menaxhuar me pandeminë e koronavirusit.
Mbi 30,000 qytetarë çekë kanë vdekur nga Covid-19, që është një prej niveleve më të larta të vdekshmërisë në Evropë për kokë banori.
Ndërkaq, presidenti çek, Milosh Zeman, një populist që shpesh ka mbështetur Babisin, ka sinjalizuar se ai do të mbështesë një qeveri të pakicës nëse partia e Babisit nuk arrin të formojë qeverinë.