“Partia e Kurtit i frikësohet qeverisjes”, LV-ja i reagon Hoxhajt

10 dhjetor 2020 | 08:13

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, ka reaguar pas deklarimeve të ushtruesit të detyrës të kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, se kjo parti nuk e ka seriozisht mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë Hoti, e cila do t’i hapte rrugë vendit të shkojë në zgjedhje të reja të parakohshme.

Manxhuka në një postim në “Facebook” ka akuzuar PDK-në se me mosnënshkrimin e mocionit për ta rrëzuar qeverinë janë brenda negociatave për ta kapur pazarin për poste dhe e gjithë kjo, sipas tij, “bëhet nga paniku për të mos shkuar në zgjedhje”.

“Për aq kohë sa këto subjekte kërcënojnë me zgjedhje dhe nuk e nënshkruajnë mocionin për rrëzimin e qeverisë të nisur nga LV janë përbrenda negocimit për të kapur sa më shumë në pazarin për poste, gjithnjë nën panikun e madh për të mos shkuar në zgjedhje”, ka shkruar Manxhuka.

Ndryshe, kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka seriozisht mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Hoti. Ai në Rubikon të Klan Kosovës ka thënë se partia e Kurtit e ka frikë qeverisjen, dhe sipas tij, nuk kanë njerëz, as dije e as përvojë për qeverisje.

“Le t’i sjellin 40 nënshkrime në Kuvend. Jemi të gatshëm të takohemi nëse na bëjnë ftesë zyrtare. Vetëvendosje e ka frikë qeverisjen, nuk kanë njerëz, as dije e as përvojë për të qeverisur. Nuk e kanë seriozisht mocionin e mosbesimit”, ka thënë Hoxhaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vjedhjet janë bërë dukuri shqetësuese në Kosovë. Brenda ditës raportohen…