Partia e Melonit padit për shpifje autorin e emisionit ‘Report’ në ‘Rai3’, kërkon 50 mijë euro dëmshpërblim
Partia e kryeministres italiane, Giorgia Meloni, “Fratelli d’Italia”, ka paditur për shpifje autorin e emisionit “Report” në “Rai3”, Giorgio Mottola, me një kërkesë për dëmshpërblim mbi 50 mijë euro.
Sipas “La Repubblica”, padia vjen lidhur me episodin “mafia me tre koka”, ku u ka thënë se krerët e grupeve kriminale në Itali “Ndrangheta”, “Camorra” dhe “Cosa Nostra”, kanë hyrë në kontakt me disa politikanë të shquar të partisë së Melonit.
Kjo padi është konsideruar si e paprecedentë nga sindikata e gazetarëve “Rai”, të cilët kanë reaguar duke shkruar: “Nëse ‘Fratelli d’Italia’ mendon të frikësojë, dhe për rrjedhojë të bëjë të heshtë ata që bëjnë gazetari investigative, e kanë të kotë”.
Padia nuk është vetëm ndaj autorit të pavarur të raportit, por edhe ndaj zëvendësdrejtorit Sigfrido Ranucci.
Ndërkohë, deputetët e Partisë Demokratike të Italisë, kanë bërë me dije se do ta çojnë çështjen në Autoritetin Mbikëqyrës.
“Nuk ka ndodhur që një parti të padisë një gazetar të ‘Rai’-t. Këto janë të dhënat e vërteta të qeverisë Melonit. Me padinë për shpifje konfirmojnë se kërcënimi dhe frikësimi i shtypit është vulë e veprimit të tyre politik”, kanë deklaruar ata.