Partia e Orbanit pëson disfatë në bastionin e saj
26 shkurt 2018
| 13:22
Partia Fidesz e kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban, ka pësuar disfatë në njërin nga bastionet, pasi kandidati i saj për kryetar të qytetit Hodmezovasarheli është mundur nga një kundërshtar i pavarur, i mbështetur nga opozita.
Me gati të gjitha votat e numëruara nga zgjedhjet e së dielës, Peter Marki Zay ka fituar 57.5 për qind të tyre, përballë kandidatit të Fidesz-it, Zoltan Hegedus, me 41.6 për qind.
Partia nacionaliste e Orbanit e ka qeverisur qytetin prej rreth 45 mijë banorësh gjatë dy dekadave të fundit.
Megjithatë, sondazhet tregojnë se Fidesz është ende favorite për zgjedhjet parlamentare në Hungari, që do të mbahen më 8 prill.