Partia e zëvendëskryeministres së Spanjës kërkon njohjen e Kosovës
Spanjës po i bëhet thirrje nga dy fronte të ndryshme politike të brendshme që ta njohë Kosovën si shtet i pavarur. Pyetja e paraqitur nga deputeti i partisë Movimiento Sumar, Vidal Matas, është pranuar nga Kongresi i Deputetëve të Spanjës dhe pritet të vendoset në rendin e ditës për diskutim.
“Pyetje për qeverinë me përgjigje me shkrim. Njohja e Kosovës si shtet”, thuhet në njoftimin publik që e ka publikuar faqja zyrtare e parlamentit.
Kryetare e partisë Movimiento Sumar është Jolanda Diaz, aktualisht zëvendëskryeministre e Spanjës dhe ministre e punës dhe ekonomisë sociale në qeverinë e Pedro Sanchez.
Në të njëjtën kohë, edhe partia tjetër “Bashkë për Katalonjën” ka paraqitur një kërkesë në parlament që shteti spanjoll ta njohë atë të Kosovës.
“Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vendosi në korrik të vitit 2010, se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk shkel të drejtën ndërkombëtare dhe konfirmoi se nuk ka asnjë normë në të drejtën ndërkombëtare që do ta ndalonte atë deklaratë”, lexohet në propozimin e dorëzuar.
Partia nga Katalonja thekson se refuzimi i Madridit për të njohur Republikën e Kosovës është një pengës për politikën europiane për të pranuar Ballkanin Perëndimor në BE. Madje theksohet se mos njohja është faktor destabilizues.
“Spanja vendoset në anën e Rusisë, Kinës ose Bjellorusisë kur refuzon ta njohë Kosovën si shtet”, thuhet tutje në dokument.
Kjo forcë politike hedh poshtë justifikimet e kryeministrit Sanchez se nuk pranon pavarësinë e Kosovës pasi u shpall në mënyrë të njëanshme./A2CNN