Partia Liberale Egjiptiane kërkon rinumërimin e 198 vendvotimeve të reja
Partia Liberale Egjiptiane (PLE) të mërkurën ka parashtruar kërkesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për rinumërimin e 198 vendvotimeve të reja në 26 komuna të Republikës së Kosovës.
“Më lejoni t’ju informoj se sot gjatë ditës ne si subjekt politik Partia Liberale Egjiptiane (PLE) kemi parashtruar në PZAP kërkesë për rinumërimin e 198 vendvotimeve të reja në 26 komuna të Republikës së Kosovës. Ashtu siç jeni në dijeni deri më tani 844 vendvotime u janë nënshkruar procesit të rinumërimit në zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë. Mbi të njëjtën bazë edhe subjekti politik PLE sot parashtroi kërkesë për rinumërim të 198 në PZAP që pas analizimit të të dhënave të publikuara nga KQZ, kemi konstatuar, që përveç lëshimeve teknike në formularët e përshtatjes të rezultateve (FPR), përkatësisht të mosplotësimit të të dhënave në rubrikën në formularëve për subjektin tonë politik PLE, kemi gjetur se ka parregullsi në bartjen e të dhënave nga PLE në rubrikën e subjekteve të tjera politike”, është thënë në komunikatën për medie të PLE-së.
Sipas Partisë Liberale Egjiptiane (PLE), rinumërimi i vendvotimeve për të cilat ka parashtruar kërkesë në PZAP mund të ndikojë në krijimin e një procesi zgjedhor të saktë dhe demokratik.
“Në këtë kuptim ne vlerësojmë se rinumërimi i vendvotimeve për të cilat ne kemi parashtruar kërkesë në PZAP mund të ndikojë në krijimin e një procesi para së gjithash të saktë dhe demokratik të këtyre zgjedhjeve. PLE vlerëson se kërkesa jonë e parashtruar në PZAP do të trajtohet në mënyrë korrekte nga një ekip profesionale dhe mbi bazë të provave dhe argumenteve të bashkangjitura në dosje”, është theksuar në komunikatën e Partisë Liberale Egjiptiane.
/Epoka e re/