Partitë dorëzojnë listat për deputetë, thirrën në fitore më 9 shkurt

12 dhjetor 2024 | 17:04

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë (KQZ) ka bërë me dije të enjten se 28 subjekte politike kanë aplikuar për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Sipas një njoftimi për medie, pas mbylljes së afatit zyrtar, në mesin e 28 subjekteve politike janë 20 parti politike, pesë koalicione, dy iniciativa qytetare dhe një kandidat i pavarur.

Në mesin e subjekteve janë parti shqiptare, të komunitetit serb, dhe komuniteteve tjera më të vogla në Kosovë.

Valmir Elezi nga KQZ-ja, ka thënë se institucioni të cilit i përket do të bashkëpunojë me autoritetet kompetente për të bërë verifikimet lidhur me përshtatshmërinë, apo aftësinë e kandidatëve për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje.

Ai ka thënë se ka kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës që t’ia dërgojë KQZ-së emrat e kandidatëve që janë të dënuar në tre vjetët e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale. “Neni 30 parasheh disa raste se kur një person nuk mund të certifikohet si kandidat për deputet. Në këtë nen parashihet se një person nuk mund të certifikohet si kandidat, nëse është i dënuar në tre vjetët e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale me një ose më shumë vjet burgim efektiv”, është shprehur ai.

KQZ-ja duhet t’i konfirmojë listat më së voni deri më 25 dhjetor.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror i Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka thënë se do të kërkojnë nga institucionet kompetente që të bëjnë verifikimet e nevojshme sa u përket kandidatëve për deputetë.

Ai ka thënë se kanë kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës që t’ua dërgojnë emrat që janë të dënuar në tri vitet e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë me një ose më shumë vjet burgim efektiv.

Elezi ka bërë me dije se KQZ-ja ka një kërkesë edhe nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. “Gjithashtu ky nen (30) specifikon që kandidat nuk mund të certifikohet një person i cili është zyrtar i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa; me anë të vendimit të gjykatës, përfshirë edhe vendimin e PZAP-it, i është hequr e drejta për të qenë kandidat; ka dështuar të paguajë gjobën e vënë nga PZAP-i, apo KQZ-ja; ose ka dështuar t’i përmbahet ndonjë urdhri të PZAP-it. Prandaj, kemi kërkuar nga PZAP-i të bëjë verifikimet në raport me këto kufizime ligjore”, ka theksuar Elezi.

Pas dorëzimit të listave kanë reaguar edhe liderët e partive.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka theksuar se” “E dorëzuam listën e fitores së madhe!”.

No description available.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, derisa ka prezantuar listën e kandidatëve të PDK-së për deputetë për zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit, ka theksuar se lista e PDK-së nuk paraqet vetëm emra, por një ekip fitues me vizion për të ardhmen, të përkushtuar për një Kosovë ma të mirë. “Mbi 50% e listës së kandidatëve tanë janë pjesë e garës për herë të parë, duke sjellë energji dhe ide të reja në misionin tonë. Dua të shpreh falënderimet e mia më të sinqerta për të gjithë ata që janë pjesë e kësaj liste dhe për ata që kanë shprehur gatishmërinë për të kontribuar, qoftë edhe në mënyra të tjera të rëndësishme”, ka thënë Krasniqi, shkruan ‘Epoka e re’.

No description available.

Ai ka shtuar se suksesi i PDK-së në zgjedhjet e 9 shkurtit është i garantuar me këtë listë të prirë nga kandidati për kryeministër, Bedri Hamza. “Përkushtimi dhe mbështetja juaj janë të pazëvendësueshme për Partinë Demokratike të Kosovës. Urime të gjithë kandidatëve tanë! Duke mbështetur njëri-tjetrin dhe të prirë nga kandidati ynë për kryeministër, Bedri Hamza, suksesi ynë është i garantuar. Faleminderit, dhe le ta fitojmë këtë betejë së bashku!”, ka thënë Krasniqi.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se lista e tyre është fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit. “Lista fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit”, ka shkruar Abdixhiku në “Facebook”.

No description available.

Ndërkaq kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se lista që kanë dorëzuar është listë e fitores. “Lista e Kosovës fituese”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.

No description available.

Zgjedhjet e 9 shkurtit do të jetë zgjedhjet e para të rregullta parlamentare që do të organizohen në Kosovë, që nga shpallja e pavarësisë më 2008.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ai ishte lojtari më i rëndësishëm në pjesën e parë…