Partitë e Kosovës i kanë “ndezur motorët”

21 maj 2020 | 08:17

I kanë “ndezur motorët” liderët e partive kryesore në vend. Ata u janë kthyer aktiviteteve në terren, në intensitetin që janë parë rëndom para fushatës elektorale për zgjedhje në nivel nacional, përveç LDK-së që pret ta marrë qeverinë pa iu nënshtruar garës.

Albin Kurti, kryeministër në detyrë dhe lider i LV-së, partia më e madhe në vend, të mërkurën ka vizituar Mitrovicën dhe Podujevën. Kadri Veseli, kryetar i PDK-së, subjekti politik më i madhi në opozitë, këtë ditë e ka pasur pushim, por ka qenë më aktivi në dhjetë ditët e fundit. Ramush Haradinaj, i cili e drejton AAK-në, të mërkurën është ndalur në Malishevë, në kuadër të turit të vizitave të degëve të partisë, gjithandej Kosovës, shkruan KOHA.

LDK-ja është parti e dytë në nivel vendi, dhe me nismën e saj është rrëzuar qeveria Kurti. Ajo është duke llogaritur në formimin e qeverisë së re konform dekretit të presidentit Hashim Thaçi, i cili është pezulluar nga Gjykata Kushtetuese derisa të jepet verdikti për kushtetutshmërinë e tij.

Albert Krasniqi, drejtor i Programeve në organizatën “Demokraci Plus”, ka theksuar se në përgjithësi partitë politike në Kosovë nuk i mirëmbajnë lidhjet e tyre me anëtarësinë dhe elektoratin jashtë cikleve zgjedhore. Ai ka rikujtuar se këtë mungesë të komunikimit aktiv përpiqen ta kompensojnë në prag të zgjedhjeve, kryesisht nëpërmjet shtimit të takimeve me strukturat partiake për t’i mobilizuar votuesit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot janë bërë 21 vjet nga masakra e Stagovës së…