Partitë fillojnë të mobilizohen për zgjedhjet e reja

25 dhjetor 2020 | 13:59

Ushtruesja e detyrës e presidentit, Vjosa Osmani, ka përfunduar takimet me të gjitha partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, me të cilat ka diskutuar për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Pas përfundimit të takimeve dhe diskutimeve përmbajtjesore me të gjitha subjektet politike, Osmani ka theksuar se sapo palët ta marrin aktgjykimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese, menjëherë do të caktohet data e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Përfaqësuesit e partive politike kanë përmendur fundin e muajit janar dhe fillimin e shkurtit të vitit 2021, si periudha të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, shkruan “Epoka e re”.

Derisa partitë politike janë në pritje të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetueses, ato kanë filluar takimet me strukturat e tyre për t’i mobilizuar për zgjedhjet e reja.

Deri më tani vetëm Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka zyrtarizuar kandidaturën për kryeministër, ushtruesin e detyrës së kryetarit të saj, Enver Hoxhaj.

Ky i fundit beson se PDK-ja do të dalë partia e parë në këto zgjedhje. “Si Parti Demokratike e Kosovës jemi të gatshëm për zgjedhje dhe të bindur se do ta ofrojmë programin më të mirë dhe njerëzit më të duhur për të marrë përgjegjësi të reja për vendin. Kosovës, si kurrë më parë, i duhet qartësi, vullnet dhe guxim në vendimmarrje për ta këndellur ekonominë, rivendosur marrëdhëniet me miqtë dhe nxjerrë nga izolimi shtetin më të ri. PDK-ja është e vetmja parti që i ka dhënë shpresë e qeverisje të mirë vendit. Me të njëjtën logjikë jemi udhëhequr edhe në opozitë, duke bërë opozitë ndaj qeverisë, por jo ndaj shtetit”, ka thënë ai.

Hoxhaj ka pohuar se PDK-ja do t’i ofrojë shpresën, stabilitetin, progresin dhe programin më të mirë ekonomik Kosovës. “Jemi njerëzit më të përgatitur dhe me përvojën më të mirë. Kosova, e veçanërisht PDK-ja, është goditur më së shumti këtë vit. Udhëheqësit e luftës dhe krerët e PDK-së sot janë në Hagë, por ne do të dalim edhe më të fortë, më të bashkuar dhe më mirë të organizuar. Nuk do t’i lejojmë përpjekjet shumëvjeçare të Serbisë për ta kriminalizuar luftën çlirimtare dhe zhbërjen e shtetit të Kosovës. Goditjen do ta kthejmë në forcë. PDK-ja ka ditur që fatkeqësitë t’i kthejë në vullnet për të punuar mirë dhe drejt për qytetarët dhe shtetin tonë. Ne do të garojmë me programin më të mirë dhe ofertën për qytetarët që ka në thelb ekonominë, ekonominë dhe vetëm ekonominë. Kemi njerëzit më të zotë, përvojën më të mirë, dhe kemi dëshmuar edhe në opozitë se ishim të vetmit që i lamë anash interesat partiake dhe votuam për interesin e qytetarëve tanë”, është shprehur Hoxhaj.

Edhe lideri i LDK-së, Isa Mustafa, thotë se partia që drejton do të dalë më e fushime në këto zgjedhje. “Jam shumë i sigurt që në zgjedhjet e ardhshme, në bashkëpunim me të gjitha strukturat, elektorati i LDK-së do të angazhohet për rezultatin më të suksesshëm. Nga këto zgjedhje LDK-ja do të dalë edhe më e fuqishme, duke e respektuar votën dhe vullnetin qytetar”, ka thënë ai. Mustafa ka shtuar se Lidhja Demokratike e Kosovës do të vazhdojë të jetë formacioni kryesor politik në vend. “Të gjitha interesat e shtetit të Kosovës do të jenë prioriteti kryesor i politikëbërjes së LDK-së”, ka thënë Mustafa.

Ndërkaq përfaqësues të LV-së thonë se ky subjekt do të dalë i pari në këto zgjedhje.

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi, ka publikuar një sondazh në lidhje me preferencat e votuesve për partitë politike. Bislimi, duke iu referuar këtij sondazhi, sipas të cilit, Vetëvendosja do t’i fitojë 55 deputetë, ka thënë se partia e Albin Kurtit do ta tejkalojë këtë sondazh. “Ajo që mund të thuhet me siguri të plotë është që, edhe përkundër këtyre elementeve të listuara më sipër, me vetëm pak më shumë angazhim, LV-ja do ketë më shumë se 60 deputetë në Kuvendin e ardhshëm të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Bislimi në llogarinë e vet në “Facebook”.

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ahmet Isufi, pas takimit që ka mbajtur kjo parti me anëtarë të kryesisë, ka thënë se shkojnë në zgjedhje për ta udhëhequr vendin. “Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, duke e ditur që në 2021-n do të ketë zgjedhje, paraprakisht është përgatitur në të gjitha strukturat. Ne në këto zgjedhje do të dalim si AAK dhe shkojmë në zgjedhje për ta udhëhequr vendin”, ka thënë Isufi.

Lideri i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka takuar anëtarët e kryesisë dhe kryetarët e degëve të Nismës Socialdemokrate, për të diskutuar rreth përgatitjeve për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Ai ka kërkuar nga drejtuesit e degëve që të mobilizojnë dhe angazhojnë strukturat akëkënd vendit. “Në mënyrë që subjekti ynë të dalë sa më i fuqishëm nga ky proces i parakohshëm zgjedhor, ruajtja dhe mbrojtja e vlerave tona kombëtare është vet programi ynë si Nismë, dhe në funksion të kësaj duhet që të gjithë të angazhohemi maksimalisht”, ka thënë Limaj.

Njohësi i çështjeve politike, Ramush Tahiri, ka thënë se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të zhvillohet një garë për vendin e parë ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës, më pastaj një koalicion paszgjedhor ndërmjet këtyre dy partive fituese.

“Në zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të zhvillohet një garë për vendin e parë ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), më pastaj një koalicion paszgjedhor ndërmjet këtyre dy partive fituese. Nëse Partia Demokratike e Kosovës del e para, gjithsesi që do të përpiqet të bëjë një koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës, por nuk është e sigurt që kjo e dyta do të pranojë, me gjasë që LDK-ja në këtë rast do të parapëlqejë të rrijë në opozitë duke iu nënshtruar një procesi të themeltë zgjedhjesh brenda partiake. Vetëvendosje do t’i ketë 35-40 deputetë, PDK 32-35, dhe me pakicat 20, gjithsejtë bëhen 85 deputetë. Ky do të ishte koalicioni paszgjedhor në të cilin kryeministri do të ishte nga Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa presidenti i Kosovës nga Partia Demokratike e Kosovës”, ka thënë analisti Tahiri.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të shkuar vendi në zgjedhje të reja, ka ardhur pasi vota e deputetit Etem Arifi u konsiderua e pavlefshme për faktin se ndaj tij kishte një dënim të formës së prerë me mbi një vit burgim.
Sipas Kushtetueses, vendimi i Kuvendit të Kosovës i 3 qershorit për zgjedhjen e qeverisë nuk është në pajtueshmëri me Kushtetutën sepse qeveria nuk ka marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

“Marrë parasysh se qeveria nuk është zgjedhur sipas Kushtetutës, atëherë presidenti i Republikës së Kosovës shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të datës 21 dhjetor. Me vendimin e Gjykatës thuhet se asnjë person që është i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tre vjetët e fundit, “nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitojë mandat të vlefshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës”.

Gjykata Kushtetuese thotë se qeveria Hoti do të mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e një ekzekutivi të ri.

(M.Q  / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Punëtorët teknikë dhe ata të sigurimit tash e një kohë…