Partitë gjermane pajtohen për fond masiv për rindërtimin e ekonomisë e ushtrisë

05 mars 2025 | 12:38

Partitë që po shpresojnë ta formojnë qeverinë e ardhme të Gjermanisë të martën u pajtuan për themelimin e një fondi prej 500 miliardë eurosh për infrastrukturën dhe për rishikimin e rregullave për borxhin publik në një ndryshim të madh për rindërtimin e ushtrisë dhe ringjalljen e rritjes ekonomike në ekonominë më të madhe të Evropës.

Konservatorët e Friedrich Merz-it dhe socialdemokratët (SPD), të cilët janë në bisedime për formimin e një koalicioni qeverisës pas zgjedhjeve të muajit të kaluar, do t’i paraqesin propozimet e tyre në Kuvend javën e ardhshme, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Merz-i, që pritet të jetë kancelar i ri i Gjermanisë, po e shfrytëzon momentin, pasi rikthimi i Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë ka shkaktuar trazirë në NATO dhe e ka nënvizuar urgjencën që Evropa ta fuqizojë mbrojtjen e saj.

Ekonomistët dhe investitorët i kanë bërë thirrje Gjermanisë që t’i reformojë kufijtë e borxhit publik që janë të rrënjosur në kushtetutën e saj me qëllim që të lirohen mundësitë për investime dhe për ta mbështetur ekonominë që ka pësuar tkurrje në dy vitet e fundit, transmeton nacionale.

“Si rezultat i rreziqeve ndaj lirisë dhe paqes sonë ndaj kontinentit tonë, çfarëdo që nevojitet tani duhet të vlejë edhe për mbrojtjen tonë” – tha Merz-i, udhëheqës i konservatorëve të bllokut CDU/CSU.

“Ne po llogarisim që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të vazhdojnë të qëndrojnë prapa detyrimeve tona të përbashkëta të aleancës në të ardhmen, por ne gjithashtu dimë se burimet për mbrojtjen tonë kombëtare dhe të aleancës tani duhet të zgjerohen në masë domethënëse” –shtoi ai.

Vlera e euros e arriti nivelin më të lartë në gati katër muaj të mërkurën pas këtij lajmi.

Edhe vlera e aksioneve të kompanive evropiane të mbrojtjes ka shënuar rritje ditëve të fundit, përderisa po fiton momentum shtytja për rritjen e shpenzimeve në këtë fushë. Vlera e aksioneve të gjigantit gjerman “Rheinmetall” si dhe e kompanisë “Renk” u rrit për 1,3, përkatësisht 5,5 për qind.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Arsenali ka shënuar fitore me rezultat bindës ndaj PSV Eindhoven…