Partitë janë kundër vjedhjes vetëm kur ajo bëhet nga kundërshtarët politikë

03 prill 2020 | 11:45

Emërimet e fundit politike nëpër borde publike të bëra nga Lëvizja Vetëvendosje kanë ngjallur reagime të shumta në opinioni publik. Pas reagimit të shumë publicistëve dhe analistëve, ashpër ka reaguar edhe avokati i njohur Dastid Pallaska, sipas të cilit, partitë politike në Kosovë kanë mospajtime vetëm sa i përket shpërndarjes së pasurisë së vjedhur apo të keqpërdorur.

“Nëse arrijmë të shohim përtej propagandës, do ta kuptojmë se në thelb partitë politike në Kosovë kanë vetëm një mosmarrëveshje ndërmjet vete sa i përket vjedhjes dhe keqpërdorimit të shtetit. Mosmarrëveshja ka të bëjë vetëm me shpërndarjen e pasurisë së vjedhur apo të keqpërdorur, asgjë më shumë”, ka thënë Pallaska.

Prandaj, sipas tij, partitë politike në Kosovë janë kundër vjedhjes së shtetit vetëm kur një gjë e tillë bëhet nga kundërshtarët politikë dhe, sipas tij, një gjë të tillë e vërtetojnë emërimet e fundit të bëra nga Lëvizja Vetëvendosje. “Kjo është arsyeja pse partitë politike janë kundër vjedhjes dhe keqpërdorimit të shtetit vetëm kur kjo bëhet nga kundërshtarët politikë dhe vetëm kur këto parti politike nuk e marrin hisen e tyre në këtë plaçkë. Këtë e vërtetoi së fundi edhe Lëvizja Vetëvendosje me emërimin e militantëve të vet në bordet e ndërmarrje publike kryesore në vend”, potencon Pallaska.

Ai thotë se emërimet e tilla politike nëpër borde tregojnë se partia e Kurtit është një vazhdimësi e konceptit politik të pasluftës në Kosovë, ku njerëz të lidhur me pushtetin dhe partitë politike  duhet t’i kontrollojnë resurset ekonomike të vendit. “Kjo tregon se Lëvizja Vetëvendosje nuk paraqet asgjë më shumë se vazhdimësi të konceptit politik të këtyre 21 vjetëve që partitë politike dhe njerëzit e lidhur me politikë duhet t’i kontrollojnë të gjitha resurset ekonomike të këtij vend edhe ashtu të varfër”, shton ai.

Pallaska thotë se ndryshimi i vetëm që do të sjellë Lëvizja Vetëvendosje do të jetë ndërrimi i emrave të plaçkitësve, të cilët tashmë dëshirojnë ta marrin hisen e tyre, për të cilën edhe kanë luftuar në rrugën drejt ardhjes në pushtet. “Rrjedhimisht, ndryshimi i vetëm që do të sjellë kjo parti politike janë emrat e përveçëm të keqpërdoruesve të cilët tani do ta marrin hisen e plaçkës për të cilën kanë luftuar në rrugën e tyre për pushtet”, ka shkruar Pallaska.

Në fund ai thotë se ndryshimi mund të ndodhë vetëm atëherë kur shteti dhe partitë politike zvogëlojnë kontrollin e tyre mbi resurset ekonomike të Kosovës.

“Ndryshimi i vërtetë vjen vetëm atëherë kur shteti dhe partitë politike e zvogëlojnë kontrollin e tyre mbi resurset ekonomike të vendit dhe u mundësojnë qytetarëve të lirë të këtij vendi që me dijen dhe mundin e tyre të punojnë për t’i siguruar mirëqenien vetes dhe familjes”, ka shkruar Pallaska.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shteti i vogël i Andorrës ka porositur teste sa për…