Partitë konfirmojnë ftesën nga Ambasada amerikane për takimin e 31 janarit
Më 31 janar, Ambasada e SHBA-së në Prishtinë organizon diskutim për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë. Ftesa është konfirmuar nga disa parti politike, por jo të gjitha kanë konfirmuar pjesëmarrjen. Edhe nga Qeveria nuk kanë treguar nëse kryeministri Kurti do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës për diskutim.
Ftesa e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, për pjesëmarrje në takimin ku do diskutohet për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, ka mbërritur në adresë të disa partive politike dhe shoqërisë civile.
Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila e kontaktuar nga Radio Kosova e ka konfirmuar shkurt se e kanë pranuar një ftesë të tillë. Por, më pas nuk ka qenë e qasshme për të saktësuar nëse do të marrin pjesë në takim apo jo.
Pjesëmarrja në takim është konfirmuar nga PDK-ja, kryetari i së cilës Memli Krasniqi ka thënë se asnjëherë nuk i kanë refuzuar takimet me SHBA-në.
Edhe LDK-ja e ka konfirmuar se ka marrë ftesë për këtë takim. Zëdhënësja e kësaj partie, Sibel Halimi, ka thënë për Radio Kosovën se për pjesëmarrjen në takim do të flasin më vonë. Ndërsa, nga AAK, nuk ka kthyer ndonjë përgjigje.
Nga Qeveria nuk janë përgjigjur nëse kryeministri Albin Kurti do të marrë pjesë në takim. Ndërsa, zëvendëskryeministrja Emilia Rexhepi, ka konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e 31 janarit. Në një intervistë për RTK-në, ajo ka thënë se është kundër çdo asociacioni një etnik.
“A do të thotë ky takim se Asociacioni veç do të nisë të zbatohet? Jo, nëse e shihni qëndrimin tim personal. Gjithnjë kam qenë kundër formimit të komunave një etnike. Shihni çfarë ndodhi në Bosnjë dhe Hercegovinë, ku Republika Serbe ka bërë për gjithë këto vite që i gjithë procesi i Federatës së Bosnjë dhe Hercegovinës si një shtet të ndenjur. Dhe, sot, nga paramendimi, ne si Qeveri po bëjmë gjithçka që kjo të mos ndodhë”, ka thënë ajo.
Pranimin e ftesave dhe konfirmimin e pjesëmarrjes në takimin e ambasadës së SHBA-së, e kanë konfirmuar për Radio Kosovën disa organizata të shoqërisë civile. Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi e vlerëson pozitive ftesën për takim e diskutim.
“Në këtë fazë nuk mund të paragjykojmë se cilat do të jenë veprimet e mëtutjeshme për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Por, i rëndësishëm është fakti se Ambasada e SHBA-së, ka ftuar përfaqësues nga shoqëria civile, qeveria dhe partitë politike, për të diskutuar për një temë që zgjon interes publik në Kosovë”, tha ai.
Së fundi është shtuar presioni i miqve ndërkombëtarë ndaj Kosovës për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.