Partitë kryesore spanjolle kundërshtojnë njohjen e pavarësisë së Kosovës
Partia ultra-nacionaliste spanjolle VOX, Partia Popullore (konservatore) dhe Partia Sociale e Galicisë, të martën, në seancën e Kuvendit të Spanjës, e kanë kundërshtuar nismën e partisë katalanase “Junts per Catalunya” me të cilën kërkohet njohja e Kosovës si shtet sovran.
Carlos Flores Juberias, nga partia VOX, ka kundërshtuar këtë nismë me argumentin se ka shumë arsye pse Spanja nuk duhet ta njohë Kosovën.
“Në kontekstin ndërkombëtar, gjysma e Kombeve të Bashkuara e ka njohur Kosovën, gjysma tjetër jo. Meqë ra fjala, a e dini sa vende të reja e kanë njohur pavarësinë e Kosovës në 10 vjetët e fundit? Do t’i emërtoj Tonga, Antigua dhe Barbuda, Singapori, Surinami, Bangladeshi dhe Barbados. Sa prej tyre mund t’i gjeni në hartë?”, ka thënë Juberias.
Si një nga arsyet për mosnjohjen e Kosovës, Juberias përmendi të drejtën ndërkombëtare dhe kujtoi rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Ai theksoi se njohja e Kosovës do të ndikojë negativisht në marrëdhëniet me Serbinë, e cila sipas tij është vend kyç për stabilitetin e Ballkanit dhe me të cilin Spanja ka shkëmbim tregtar që rritet nga viti në vit.
“Kosova nuk është as shtet plotësisht demokratik dhe as plotësisht sovran, sa i përket së parës, do të mjaftohem duke ju dhënë informacionin se që nga pavarësia e Kosovës e deri më sot, më shumë se 200 mijë serbë janë dashur të largohen nga ai territor dhe për ata që kanë mbetur, situata është e paqëndrueshme”, ka pretenduar ai.
Në anën tjetër, Obdulia Taboadela Alvarez nga Partia Socialiste e Galicisë, ka thënë se Spanja duhet të mbetet e vendosur në qëndrimin për të mos njohur e Kosovën.
“Pozicioni i Grupit të Socialistëve dhe i Qeverisë së Spanjës bazohet në të drejtën ndërkombëtare publike dhe parimin e integritetit territorial të shteteve, respektimin e sovranitetit të tyre. Për më tepër, siç e dini, ky qëndrim është në përputhje me qëndrimin e vendosur me rezolutën 1244 të vitit 1999 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Historia e Kosovës dhe e Ballkanit është mjaft e ndërlikuar për t’u përmbledhur në disa minuta”, ka thënë ajo.