Partitë në duart e liderëve
Partitë politike në Kosovë mbeten ende në procesin e profilizimit dhe demokratizimit të tyre. Reformat dhe demokratizimi i brendshëm, potencohen sa herë që partitë politike hyjnë në proceset e brendshme zgjedhore, çka sipas analistëve politikë dëshmon se ato janë me vjet të tëra në këtë proces. Si të tilla, partitë e spektrit politik në Kosovë konsiderohen se janë kryesisht lideriste.
Sipas analistëve, ndonëse një pjesë e partive politike janë formuar qysh në kohën e pluralizmit në ish-Jugosllavi dhe kanë vazhduar punën edhe pas luftës së fundit apo edhe partitë e formuara pas vitit 1999, që të gjitha kanë mbetur të paprofilizuara politikisht dhe ideologjikisht.
Ata nënvizojnë se ende nuk mund të thuhet me saktësi se cilat parti politike i takojnë qendrës, e cilat krahut të partive të djathta apo të majta.
Politologu Ramush Tahiri, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë”, së partitë politike në Kosovë edhe më tutje nuk janë të reformuara dhe se shumica janë parti lideriste.
“Nuk kemi reformë te asnjë parti. Nuk dëshirojnë të jenë demokratike. Të gjitha partitë duan të jenë lideriste dhe të udhëheqin në vijë vertikale. Dhe kemi afera të ndryshme të përçarjeve në nivelin lokal të partitë politike në nivelin lokal, po edhe të nivelit lokal me nivelin qendrorë. Faktikisht zgjedhje të mirëfillta për lider në parti politike dhe për kuadro nuk kemi”, ka thënë Tahiri
Sipas tij, nga ajo që vërehet deri tani është se ka një diktat që udhëhiqet nga qendra në pothuajse secilin subjekt politik në Kosovë.
“Kemi pak a shumë një diktat i cili udhëhiqet nga qendra edhe nga oligarkikë që i udhëheqin partitë që është një gërshetim i fuqisë së pushtetit me fuqinë lokale”, ka deklaruar Tahiri.
Ndërsa, analisti politik, Artan Muhaxhiri, ka thënë se në asnjë parti politike në Kosovë nuk funksionojnë parimet demokratike.
“Partitë politike kosovare janë parti lideriste dhe rreth liderit krijohet një klan i njerëzve të fuqishëm të cilët i orientojnë partitë respektive. Ndërsa të gjitha ndryshimet kozmetike të cilat bëhen e kanë për synim të vetëm mos-ndryshimin e mënyrës së funksionimit aktual të partive politike”, është shprehur ai.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni në këtë link: https://www.evropaelire.org/a/partite-kosova-profilizimi/30002226.html.