Partitë politike, ende larg konsensusit për dialog
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka zhvilluar të martën diskutimin online “Kuvendi përballë dialogut Kosovë-Serbi”, ku morën pjesë deputetë të grupeve parlamentare të Kuvendit të Kosovës, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Në hyrje të diskutimit, Jeta Krasniqi, menaxhere e projektit në KDI, ka folur për punën dhe aktivitetet e KDI-së në funksion të rritjes së transparencës së procesit të dialogut, si dhe llogaridhënies së ekzekutivit karshi publikut për këtë çështje.
Gjatë diskutimit, u prezantua analiza “Fuqizimi i mbikëqyrjes parlamentare ndaj dialogut Kosovë-Serbi”, e cila paraqet një pasqyrë të asaj se si e ka ushtruar Kuvendi rolin e tij mbikëqyrës ndaj dialogut deri më tani, si dhe ofron rekomandime konkrete për deputetët e Kuvendit për të përmbushur në mënyrë më efektive mandatin e tyre mbikëqyrës ndaj këtij procesi.
Violeta Haxholli, autore e punimit në fjalë, ka vlerësuar nevojën për fuqizimin e Kuvendit si organi më i lartë mbikëqyrës i politikës së jashtme dhe dialogut me Serbinë, duke qenë se dialogu është një nga proceset më të rëndësishme në të cilat po kalon vendi.
Ajo ka theksuar se procesi i dialogut me Serbinë vazhdon të jetë një nga shkaqet kryesore të mospajtimeve dhe debateve të ashpra në Kuvend.
“Duke pasur parasysh që çështja e dialogut me Serbinë shkon përtej interesave partiake, partitë parlamentare duhet të tentojnë të ndërtojnë një qëndrim të përbashkët lidhur me qasjen ndaj Serbisë dhe dialogut në veçanti. Një qëndrim i përbashkët i një spektri më të gjerë politik do të fuqizonte vet rolin mbikëqyrës të Kuvendit ndaj procesit të dialogut” ka thënë Haxholli.
Në anën tjetër, deputetët e Kuvendit shprehën perspektivën e tyre lidhur me dialogun Kosovë-Serbi në përgjithësi, si dhe rolin që Kuvendi duhet të ketë në raport me këtë proces. Edhe gjatë këtij diskutimi, u evidentuan dallimet e mëdha që ekzistojnë mes partive politike parlamentare lidhur me këtë proces.
Fitore Pacolli-Dalipi nga grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë që mbikëqyrja e Kuvendit karshi Qeverisë nuk ka mundur të jetë efikase për shkak të qasjes së qeverisë, e cila ka raportuar sa për sy e faqe. Sipas saj, në shumë raste ka pasur kushtëzim të raportimeve të ministrave apo kryeministrit, qoftë në kohëzgjatje apo përmbajtje të pyetjeve.
Pacolli-Dalipi ka thënë se në situatën kur Kuvendi është jofunksional, duhen zgjedhje të reja parlamentare, ndërsa deri në formimin e një qeverie të re legjitime, të ndërpritet procesi i dialogut.
Ndërsa, Faton Bislimi, deputet nga radhët e grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka vlerësuar që procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë barrë e të gjitha institucioneve dhe partive politike në vend, e jo vetëm e Qeverisë apo ndonjë partie të caktuar.
Bislimi ka theksuar nevojën për formimin e një komisioni të veçantë për procesin e dialogut, ku do të përfaqësoheshin të gjitha grupet parlamentare, e që si mekanizëm do të ishte linja e parë e frontit mbikëqyrës të Kuvendit në raport me Qeverinë dhe ekipin negociues.
Edhe nga Blerta Deliu-Kodra, nga radhët e subjektit tjetër opozitar, Partia Demokratike e Kosovës, u deklarua që procesi i dialogut ka humbur vëmendjen, e cila është zhvendosur sidomos pas zhvillimeve të fundit me Gjykatën Speciale.
Deputetja Deliu-Kodra ka ritheksuar që me brishtësinë e saj, Qeveria nuk ka asnjë mundësi të arrijë një marrëveshje ndërkombëtare që mund të sillet dhe aprovohet në Kuvend, prandaj është i domosdoshëm, sipas saj, një kompromis mes forcave politike në vend. “Raportimet e ekzekutivit kanë qenë më tepër sa për të kryer një obligim, por ne si deputetë nuk kemi marrë asgjë konkrete sa i përket temave të diskutuara apo të ngritura nga deputetët”, ka dekalruar ajo.
Në anën tjetër, Time Kadrijaj, si deputete e AAK-së dhe njëkohësisht kryetare e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, ka potencuar që pas zhvillimeve të fundit, dialogu duhet të ndërpritet deri në krijimin e kushteve më të mira për rifillimin e tij.
Sipas saj, nuk mund të vijohet me një proces deri të dialogut, derisa në Serbi janë duke u kryer zhvarrosjet e trupave të personave të pagjetur.
Nga radhët e pjesëmarrësve tjerë të këtij diskutimi, u ngritën për diskutim çështja e formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, temat dhe çështjet që mund të arrihet konsensus, si dhe asaj se çfarë kanë bërë institucionet tona për faktin që gati 1/3 e personave të pagjetur janë jo shqiptarë. P
anelistët u pajtuan që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe nuk mund të formohet pa qenë në përputhje të plotë me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës, ndërsa kërkuan që çështja e personave të pagjetur të zgjidhjet sa më shpejtë, pavarësisht etnisë së tyre, duke kërkuar presion të bashkësisë ndërkombëtare për Serbinë, e cila duhet të zbulojë vendndodhjen e këtyre varrezave masive.
Diskutimi u organizua në kuadër të projektit “Promovimi i një procesi të mirinformuar dhe pjesëmarrës në fazën finale të dialogut Kosovë-Serbi” i mbështetur nga Ambasada e Zvicrës dhe Ambasada Gjermane në Kosovë. Ky diskutim u zhvillua në respektim të plotë të masave të institucioneve relevante për parandalimin dhe luftimin e pandemisë.
(Qendresa Rama / Epoka e re)