Partitë politike ende shpresojnë në arritjen e konsensusit për dialogun
Ndonëse javën e kaluar ka dështuar miratimi i rezolutës së opozitës, ende ka shpresë për arritjen e konsensusit në mes të partive politike për procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Përfaqësuesit e subjekteve në pushtet dhe atyre në opozitë kanë bërë me dije se do t’i vazhdojnë përpjekjet e tyre për arritjen e një uniteti për këtë çështje.
Edhe njohësit e proceseve politike dhe monitoruesit e punës së Kuvendit u kanë bërë thirrje partive të fokusohen në pikat e përbashkëta dhe në bazë të tyre të nxjerrin një rezolutë të re të Kuvendit për dialogun
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Muharrem Nitaj, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ishin të interesuara të dështojë rezoluta e kësaj të fundit për dialog me Serbinë. Ai ka deklaruar se opozita nuk ishte e interesuar të ketë pajtim me pozitën për këtë çështje.
Sipas Nitajt, partitë e koalicionit qeverisës ishin të gatshme ta plotësonin me propozime këtë rezolutë, por një gjë e tillë u refuzua nga opozita pa ndonjë arsye. Nitaj ka treguar se pozita nuk do të ndalet së kërkuari konsensus kombëtar për fazën finale të dialogut Kosovë – Serbi.
“Besoj se nuk do të rreshtin përpjekjet për konsensus. Por, sa i përket ekipit, unë nuk e kuptoj pse Qeveria kërkon votim në kuvend. Ajo e ka mandatin ta caktojë ekipin vetë. Ajo duhet të ketë kujdes që marrëveshjen ta bëjë të atillë që të marrë dy të tretat e votave, se ekipi nuk është punë e Kuvendit. Platforma po”, ka vlerësuar Nitaj, duke shtuar se nëse nuk arrihet konsensusi, dikush tjetër do të vendosë për këtë çështje. “Nëse nuk arrihet konsensusi, kam frikë se dikush tjetër do të vendosë për këtë çështje. Bota nuk po ka kohë të merret me hajgarexhi. Ne ka vite që nuk funksionojmë pa shtytjen e të tjerëve. Po duket se një pjesë e jona votojmë, qoftë edhe për interes të vendit, vetëm kur s’kemi qare. Qeveria e kryeministri janë seriozë në këtë temë, por Kuvendi duhet ta marrë rolin e vet”, është shprehur Nitaj për gazetën “Epoka e re”.
Edhe shefi i grupit parlamentar i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka deklaruar se pozita dhe opozita duhet të gjejnë një konsensus për fazën finale të dialogut me Serbinë, pastaj të flasin për zgjedhje të reja. Ai ka thënë se fakti që ende nuk është arritur një marrëveshje në mes të pozitës dhe opozitës për të ashtuquajturën fazë të fundit të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk është një lajm i mirë. Megjithatë, Sherifi ka shprehur optimizëm që së shpejti pozita dhe opozita do të arrijnë të gjejnë një mënyrë për t’u bërë bashkë për këtë çështje.
“Aktualisht kemi një situatë ku dy partitë opozitare, LDK-ja dhe LV-ja, kanë dalë me kërkesën për zgjedhje para dialogut përderisa ne mendojmë se renditja duhet të jetë ndryshe, së pari dialogu, pastaj zgjedhjet. Kjo tash për tash e bën më të vështirë arritjen e një konsensusi. Megjithatë, shpresoj që së shpejti pozita dhe opozita do të arrijnë të gjejnë një mënyrë për t’u bërë bashkë për këtë çështje e cila shkon përtej interesave partiake”, ka thënë Sherifi për gazetën “Epoka e re”.
Ai ka deklaruar se do të ishte mirë që të mos shkohet në fazën përfundimtare të dialogut pa konsensus në mes të pozitës dhe opozitës. “Nuk mendoj se do të ishte mirë që të hyjmë në proces pa e arritur konsensusin e gjerë në mes të partive të pozitës dhe të opozitës”, është shprehur Sherifi.
Përveç deputetëve të pozitës, thirrje për arritjen e konsensusit kanë bërë edhe deputetët e taborit opozitar. Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, ka bërë thirrje që të lihen anash inatet partiake sepse pozita dhe opozita e kanë obligim mbrojtjen e Republikës.
Sipas tij, subjektet politike duhet të bashkohen dhe ta ndërtojnë platformën për dialogun dhe ekipin negociator. “Më shumë se kurrë kemi nevojë për bashkim të forcave për mbrojtje të vendit. T’i lëmë anash inatet partiake sepse pozitë e opozitë e kemi obligim mbrojtjen e Republikës. Të bashkohemi dhe ta ndërtojmë platformën për dialogun dhe ta zgjedhim bashkërisht ekipin negociator. Ta ndalim Hashim Thaçin sa nuk është bërë vonë”, ka shkruar Molliqaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Edhe menaxheri i projektit të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) për monitorimin e Kuvendit të Kosovës, Artan Murati, i ka ftuar subjektet politike në pozitë dhe opozitë që të fokusohen në pikat e përbashkëta dhe në bazë të tyre të nxjerrin një rezolutë të re të Kuvendit për dialogun. Sipas tij, dialogu duhet t’i kthehet Kuvendit dhe Kuvendi të ketë rol qendror në këtë proces.
“Në vazhdimësi KDI-ja bën thirrje për konsensus në mes të subjekteve politike, ofron rekomandime të ndryshme, si dhe shpeshherë ofron platforma për diskutim në mes të subjekteve politike. U bëjmë thirrje subjekteve politike që të fokusohen në pikat e përbashkëta dhe në bazë të tyre të nxjerrin një rezolutë të re të Kuvendit për dialogun. Bëjmë thirrje që dialogu t’i kthehet Kuvendit dhe Kuvendi të ketë rol qendror në këtë proces. Duhet të sigurohet transparenca dhe llogaridhënia e procesit në mënyrë që deputetët të dinë se çfarë po ndodh në Bruksel dhe të dinë se për çfarë marrëveshje eventuale do të votojnë”, ka deklaruar Murati për gazetën “Epoka e re”.