Partitë politike gjobiten me mbi 120 mijë euro për thyerje të heshtjes zgjedhore

17 shkurt 2021 | 15:53

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka njoftuar të mërkurën se si pasojë e ankesave për thyerje të heshtjes zgjedhore në Kosovë, për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, partitë politike janë gjobitur me mbi 120 mijë euro.

Ky institucion ka pranuar 134 ankesa për shkelje të heshtjes zgjedhore nga ana e partive politike, mirëpo ka pranuar si të bazuara 177 prej tyre.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) është gjobitur me 42 500 euro, Lëvizja Vetëvendosje (LV) me 37 500 euro, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 22 000 euro, Nisma Socialdemokrate me 2 000 euro dhe Lista Serbe me 1000 euro.

“Natyra e ankesave të paraqitura kanë qenë, heshtja zgjedhore, thyerja e heshtjes zgjedhore gjatë ditës së votimit për të votuar subjektin e caktuar politik, thirrja për të votuar disa kandidatë nëpërmjet portaleve të gazetave, shpërndarja apo postimi i disa fotografive me aktivitet elektoral në rrjete sociale si ‘Facebook’, thirrje për të votuar nëpërmjet rrjetit social ‘Facebook’, bërja e fushatës me veturë 100 metra afër qendrës së votimit, shpërndarja e ‘SMS’-ve për votim te qytetarët, vendosja e banerëve me fotografi të kandidatëve në afërsi të shkollës, vendosja e posterve të kandidatëve në oborrin e Qendrës së Votimit, mbajtja e fushatës gjatë ditës së votimit”, është thënë në njoftimin për medie.

Sipas të dhënave preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, e udhëhequr nga Albin Kurti, ka fituar zgjedhjet e 14 shkurtit rreth 48 për qind të votave.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka fituar 17.35 për qind të votave, Lidhja Demokratike e Kosovës 13.18 për qind të votave, dhe në vendin e katërt është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.42 për qind të votave ndërkaq Nisma Socialdemokrate nuk ka arritur që ta kalojë pragun zgjedhor prej 5 për qind.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Aida Dërguti, ka uruar 13-vjetorin…