Partitë politike në borxh, rrezikojnë dënime të reja
Disa nga partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhjet lokale 22 tetorit të vitit të kaluar, ende pa shlyer gjobat e shqiptuara nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), po kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve të reja të parakohshme.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për shkak të mos respektimit të Kodit të Mirësjelljes gjatë fushatës për zgjedhjet e kaluara, kishte gjobitur më rreth 260 mijë euro të gjitha subjektet politike.
Por, gjashtë muaj nga përfundimi i zgjedhjeve lokale, nga shuma e përgjithshme janë paguar rreth 127 mijë euro kurse borxh kanë mbetur edhe 130 mijë euro, thonë zyrtarë të PZAP-it.
Mul Desku, kryesues i sekretariatit në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka thënë për “Radion Evropa e Lirë”, se cilat nga partitë kanë shlyer obligimet dhe cilat ende nuk kanë përfunduar.
“Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Alternativa nuk kanë paguar asnjë shumë të borxhit, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka paguar gjysmën e shumës se borxhit, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca Kosova e Re (AKR), Nisma për Kosovën dhe Lista Serbe ka paguar shumën e borxhit në tërësi. Edhe subjektet tjera që kanë qenë të dënuara i kanë paguar të gjitha gjobat”, ka thënë Desku.
Ai ka thënë se PZAP-i, ka paralajmëruar partitë politike se nëse deri në fund të këtij muaji nuk përfundojnë obligimet, atëherë në bazë të ligjit do të shqiptohen dënime shtesë.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka shumën më të madhe të borxhit më mbi 78 mijë euro. Zyrtari financiar në këtë subjekt, Lutfi Zharku ka thënë se “pas marrjes se mjeteve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) për tre mujorin e dytë të këtij viti, do paguajnë borxhin në PZAP”.
Kurse, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ishte gjobitur më 17 200 euro, borxh ky që ende figuron në PZAP.
Sekretari ekzekutiv i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Valon Tolaj, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë”, e në mungesë të mjeteve buxhetore ka mbetur obligimi financiar i papërfunduar.
Megjithatë, edhe Tolaj shprehet se presin nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) që të rimbursoj mjetet për këtë parti, pastaj të përfundojnë obligimin.
“Në momentin që do kemi rimbursim të mjeteve nga KQZ- ja ne do të bëjmë pagesën e obligimeve. Ose KQZ-ja do të bëjë ndalesën e mjeteve tona dhe i dërgon drejtë për drejtë në PZAP në emër të AAK-se,” ka thënë Tolaj.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka qenë e gjobitur më rreth 35 mijë, ka paguar 18 mijë euro dhe borxh ka mbetur mbi 16 mijë euro.
Basri Musmurati, sekretar i kësaj partie në një prononcim për “Radion Evropa e Lirë”, shkurt është përgjigjur se shumë shpejtë do shlyej borxhin.
“Shpejtë e përfundojmë obligimin sepse nuk kemi pasur mjete financiare, kjo është arsyeja” ka thënë Musmurati.
Buxheti i Kosovës i ndanë më shumë se 4 milionë euro në vit partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës.
Shuma e mjeteve për financimin e aktiviteteve të subjekteve politike bëhet në bazë të përfaqësimit të numrit të ulëseve të fituara në Kuvend për mandate dhe mjetet shpërndahen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Përveç mjeteve që u ndahen nga buxheti i Kosovës, partitë politike financohen edhe nga burime tjera, që sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, në të shumtën e rasteve këto burime janë nga disa kompani private, të cilat më pas shpërblehen me dhënien e tenderëve publik nga partia që e fiton pushtetin.