Partitë politike po garojnë me programe të zgjedhjeve të kaluara

08 shkurt 2021 | 11:29

Njohësi i zhvillimeve ekonomike në vend, njëherësh sekretar i përgjithshëm në Forumin Investiv të Odave Ekonomike të Ballkanit Perëndimor në Trieste, Safet Gërxhaliu, ka thënë se partitë politike edhe në zgjedhjet e 14 shkurtit po garojnë me programe ekonomike të zgjedhjeve të kaluara si dhe po kopjojnë në programe njëra-tjetrën.

Gërxhaliu ka theksuar se asnjë parti politike nuk e prek rëndësinë e reformës në gjyqësor, sundimin e rendit që është parakusht esencial për zhvillim ekonomik. “Deri më tani sa i kam analizuar programet e partive politike, kam parë se në këto programe mund ta gjeni vetëm një të vërtetë: ata luftojnë për pushtet dhe jo për shtet. Pra, luftohet për votë dhe jo për zbatim të premtimeve. Kjo do ta përcjell Kosovën me vite të tëra”, ka thënë Gërxhaliu

“Epoka e re”: Z. Gërxhaliu, tanimë fushata zgjedhore ka filluar. Sa keni mundur t’i shihni programet ekonomike të partive politike për zgjedhjet e 14 shkurtit?
Gërxhaliu: Kampanja zgjedhore e vitit 2021 ka filluar me një agresivitet të paparë, duke marrë parasysh se jemi në një kohë të pandemisë dhe po shihen tubimet partiake me plot qytetarë, e kjo bie ndesh me të gjitha parimet e OBSh-së dhe të institucioneve të vendit. Me këtë formë të kampanjave zgjedhore dhe numër të madh të takimeve, Kosova është shndërruar në një hapësirë eksperimentale të botës civilizuese. Bota e zhvilluar është duke u izoluar si formë e mbrojtjes nga pandemia, ndërkaq në Kosovë shkelen masat anti-Covid nga vetë ata që i prezantojnë. Kjo është shqetësuese. Sa iu përket programeve të partive politike,  mund t’ju them se është një përsëritje nga zgjedhjet e kaluara dhe, po ashtu, kemi kopjim të programeve të partive politike nga njëra-tjetra. Partitë politike shumë më tepër merren me elaburime ekstreme sesa me zgjidhje konkrete. Është e vërtetë se termet si rritja e buxhetit, pushimet e lehonisë, paga mesatare dhe paga minimale, janë tema që dominojnë edhe nga e kaluara, të cilat janë bartur edhe sot, sepse ato probleme ende nuk janë zgjidhur. Mirëpo, askush nuk e prek rëndësinë e reformës në gjyqësor, sundimin e rendit që është parakusht esencial për zhvillim ekonomik. Në këtë drejtim ka hezitim.

“Epoka e re”: Sa i përket privatizimit të Telekomit, “Trepçës” dhe ndërmarrjeve të tjera publike, me çfarë optike i shihni këto programe?
Gërxhaliu: Në të gjitha vendet normale ndërmarrjet publike janë pjesë e ndërtimit dhe fuqizimit të shtetit, por në Kosovë janë barrë e shtetit. Në këtë drejtim sfida më e madhe nuk do të jetë pushimi i lehonisë dhe buxheti, por sfid mbetet reformimi i administratës publike sepse kemi administratë të mbingarkuar, të politizuar dhe joprofesionale e cila gjeneron korrupsion, kriminalitet dhe burokraci. Një kryeministër adekuat do të duhej të na tregonte se si do të zgjidhen problemet akute në këto ndërmarrje. Për mua guxim intelektual i një kryeministri është nëse ai del dhe e trajton çështjen e zgjidhjes së problemit të Telekomit të Kosovës, si do ta zgjidhë problemin e “Trepçës”, të një ndërmarrje e cila ka rëndësi të pakontestuar politike, integruese, ekonomike dhe strategjike. Pra, na duhet një kryeministër që nuk i mungon guximi për t’u përballur me realitetin që ekziston në Kosovë.

“Epoka e re”: Dhe nga kjo që po thoni asnjë parti në programet e veta nuk e ka prekur sa duhet zhvillimin ekonomik?
Gërxhaliu: Deri më tani, sa i kam analizuar programet e partive politike, kam parë se në këto programe mund ta gjeni vetëm një të vërtetë: ata luftojnë për pushtet dhe jo për shtet. Pra, luftohet për votë dhe jo për zbatim të premtimeve. Kjo do ta përcjellë Kosovën me vite të tëra. Prandaj nuk duhet të habitemi se 20 vjet pas luftës jemi këtu ku jemi. Në aspektin social zgjidhja e vetme për rininë është ikja nga Kosova. Nëse ky do të jetë version edhe në të ardhmen, besoj se është dënimi më i madh që po iu bëhet qytetarëve të Kosovës.

“Epoka e re”: Çfarë përfitimesh ekonomike mund të kemi nga marrëveshja me Izraelin dhe ku duhet të koncentrohemi në këtë aks?
Gërxhaliu: Në Kosovë jepen deklarata pa bërë një analizë të studiuar. Marrëveshja e Uashingtonit më 4 shtator ishte një nga pikat më të mëdha në shumë aspekte. Duhet të kuptohet se ajo marrëveshje ka në vete parimet e saj. Çdo parim duhet të shndërrohet në marrëveshje. Në këtë drejtim ka qenë edhe marrëveshja për krijimin e marrëdhënieve ekonomike me Izraelin, që në aspektin ekonomik është i pakontestuar, kurse në aspektin strategjik është perfekt i dizajnuar. Në aspektin e promovimit të Kosovës është vërtet një mekanizëm që duhet të promovohet. Në këtë drejtim duhet t’u jemi mirënjohës ShBA-së për këtë ndihmë. Në fund të fundit, jo vetëm Izraeli, por asnjë vend që e ka njohur Kosovën nuk e ka bërë këtë pa miratimin e ShBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë dhe Francës. Prandaj po e shihni sa i rëndësishëm qenka partneriteti me shtetet mike që ishin sponsorizuese të pavarësisë. Fati i ardhshmërisë së Kosovës është i lidhur me qasjen e tyre. Në këtë drejtim besoj se nëse diçka e ka karakterizuar vitin 2020-2021, është nënshkrimi i marrëveshjes në Uashington dhe vënia e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin që është një superfuqi ekonomike. Për ta ilustruar këtë superfuqi po them vetëm një fakt. Në vitin 2020, derisa Kosova me shumë mund e kaloi në Kuvend buxhetin prej 2 miliard e 430 milionë eurosh, Izraeli e miratoi buxhetin prej 121 miliardë eurosh dhe orientimin e ka në dije, në inovacion, teknologji inovative dhe ngritjen e resurseve humane. Ky është një model që duhet të ndiqet. Besoj se është obligim moral i qeverisë së re që ta formojë një trup të veçantë për partneritetet me Izraelin, pra një trup politik, ekonomik dhe kulturor, në mënyrë që këtë partneritet ta promovojë në masë enorme edhe për shtetet e tjera që nuk e kanë njohur Kosovën.

Albulena S. MAVRAJ

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, u deklarua i pafajshëm për…