![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2025/02/hisen-berisha.jpg)
Partitë politike po kthehen në votat tradicionale. PDK-ja e para, thotë Hisen Berisha
Kandidati për deputet i PDK-së, Hisen Berisha, ka thënë se sipas një sondazhi të PNUD në Kosovë, i cili realizohet çdo tre muaj dhe, me afrimin e zgjedhjeve, mujor e javor, rezultatet e fundit tregojnë se partitë politike po rikthehen në nivelet e tyre reale të votave.
“Pra po kthehen në votat e tyre themeltare që i kanë përcjell tradicionalisht. Ky sondazh tregon se PDK ka arritur nivelin prej 29-33%, LDK në 22-26%, LVV në 16-22%, dhe AAK në 6-9%. Për të përkthyer këto përqindje në mandate për Kuvendin e Kosovës, do të marrim parasysh se Kuvendi ka 120 mandate, nga të cilat 20 janë të rezervuara për komunitetet joshumicë, ndërsa 100 mandatet e tjera ndahen për partitë politike shqiptare. Këto përqindje do të llogariten mbi 100 mandate. Përkthimi i përqindjeve në mandate: • PDK (29-33%): 29-33 mandate • LDK (22-26%): 22-26 mandate • LVV (16-22%): 16-22 mandate • AAK (6-9%): 6-9 mandate”.
“Kështu, bazuar në këto përqindje, numri i mandateve për secilën parti do të variojë brenda këtyre intervaleve. Kjo mbulon 90 mandate për partitë shqiptare në Kuvend, ndërsa dhjetë mandate të tjera do të ndahen mes LDK-së dhe grupimit politik për familjen, me dy mandate për LDK dhe tetë për Grupin për Familjen. Në rastin më të keq nëse Grupi për Familjen nuk kalon pragun zgjedhor, atëherë këto mandate e fuqizojnë PDK dhe shkon në 35-37% apo mandate”, ka shkruar ai në “Facebook”.
Sipas tij, këto të dhëna qëndrojnë afër realitetit të votave të fituara nga partitë në zgjedhjet lokale pas 17 tetorit 2021, të cilat reflektojnë një nivel të përafërt të mbështetjes reale.
“Vota e revanshit, qoftë në formën e mbështetjes për LVV apo listën Guxo, votuesit e papërcaktuar, votuesit e tërhequr që janë votues tradicionalë të PDK-së që nuk morën pjesë në zgjedhje, duke e bartur peshën e votës në parti të tjera, tani do të jetë aktive e fokusuar te partitë që kanë bërë shtetin, me fokus PDK dhe LDK. Kandidimi për kryeministër i z. Hamza do të rikthejë votën tradicionale të PDK-së dhe do të tërheqë votën qytetare si ardhje e re dhe përqindjen e madhe të të papërcaktuarve. Kjo për faktin se do të kemi Qeveri ekspertësh, jo më qeveri liderësh, siç ka ndodhur deri me ketë të fundit”, ka shkruar Hisen Berisha që në këto zgjedhje në listën e PDK-së garon me numrin 67.