Partitë politike s’e ndryshojnë qëndrimin për demarkacionin
Pavarësisht prej thirrjeve për arritjen e një konsensusi nacional, subjektet politike nuk kanë lëvizur nga pozicionet e tyre për çështjen e demarkacionit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi.
Përderisa zyrtarët e PDK-së dhe të LDK-së janë për ratifikimin e kësaj marrëveshje, si dhe kanë bërë thirrje që Kuvendi sa më shpejt ta përfundojë demarkacionin me Malin e Zi, nga ana tjetër përfaqësuesit e AAK-së dhe Nismës kanë thënë se janë kundër dhe, sipas tyre, nuk ka shanse që të miratohet versioni aktual i demarkacionit
Anëtarja e Kryesisë së Partisë Demokratike (PDK), njëherësh ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, i ka bërë thirrje Kuvendit të Kosovës që sa më shpejt ta ratifikojë demarkacionin me Malin e Zi, në të kundërtën qytetarët do të vazhdojnë të mbesin të izoluar.
“Kuvendi i Republikës së Kosovës sa më shpejt duhet ta ratifikojë demarkacionin e Kosovës me Malin e Zi, në të kundërtën Bashkimi Evropian fillon ta humbë interesimin për Kosovën, sepse brenda institucioneve të Bashkimit Evropian fillojnë zgjedhjet. Votimi i demarkacionit do t’i vinte në lëvizje institucionet e Parlamentit Evropian që sa më shpejt Kosovës t’i mundësohet heqja e vizave. Unë besoj fuqishëm në konsensus nacional për çështjet që kanë të bëjnë me integrimet evropiane duke përmendur edhe rolin që ka opozita në këtë proces. Ky konsensus u dëshmua me ratifikimin e marrëveshjes së IPA-s gjatë muajit nëntor në Kuvend dhe u demonstrua se ky konsensus nacional për integrimin evropian ende vazhdon, sepse marrëveshja u votua nga të gjithë deputetët, për çfarë edhe i falënderoj”, është shprehur Hoxha.
Ajo ka thënë për gazetën “Epoka e re” se Kosova nuk mund të humbasë më shumë kohë për çështjen e demarkacionit. Ministrja Hoxha ka deklaruar se me ratifikimin e shpejtë të demarkacionit përfundon edhe izolimi i Kosovës dhe qytetarëve të saj.
“Kosova nuk ka kohë të humbë rreth kësaj çështjeje, sepse edhe durimi i qytetarëve tashmë ka filluar të humbet, sepse humbjet që po pëson qytetari ynë me këtë izolim janë të jashtëzakonshme. Rinia jonë, në rend të parë, ekonomia jonë dhe të gjitha institucionet tona kanë kufizime si askush në Evropë, andaj deputetët e Kuvendit, duke e pasur parasysh që janë të zgjedhurit e popullit dhe janë aty për të marrë vendim për të ardhmen e vendit, duhet ta ratifikojnë demarkacionin. Tashmë një gjë është e qartë, se liberalizimi i vizave është tek ne, politikanët e Kosovës”, ka deklaruar Hoxha.
Edhe nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka thënë se kjo parti është për ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi. Ai ka theksuar për gazetën “Epoka e re” se kryeministri dhe kryeparlamentari duhet ta shtyjnë përpara këtë agjendë.
“Natyrisht se prej fillimit kemi qenë për. Ata që dje kanë qenë kundër po vazhdojnë edhe sot të jenë kundër. Ata që dje kanë bërë hile, po bëjnë edhe sot hile. Ky nuk është problemi i LDK-së si partia më e madhe në vend dhe partia opozitare më aktive, por është problem i partnerëve të koalicionit. Kryeministri dhe kryeparlamentari le ta shtyjnë përpara këtë agjendë. Ne jemi në Kuvend. Ne nuk gjuajmë bomba me gaz. Nuk e pengojmë eskortën e kryeministrit. Nuk gjuajmë dhe nuk dhunojmë institucione. Ne me dialog synojmë t’i zgjidhim të gjitha çështjet. Dialogu politik është i vetmi instrument yni. Nëse kanë nevojë për ne, ata e dinë adresën tonë dhe mund të na adresohen. Nëse jo, ne do të vazhdojmë ta ushtrojmë detyrën tonë si parti opozitare, në mënyrën më të mirë dhe më të drejtë, njëkohësisht edhe më aktive, ka deklaruar Haziri, duke shtuar se grupi parlamentar i LDK-së është unik.
“Ne do të veprojmë konform interesave të vendit, por nuk kemi thënë asnjëherë që do ta votojmë demarkacionin. Nuk ka dhurata për këtë qeveri, në asnjë mënyrë dhe në asnjë formë. Ne kemi thënë se partnerët e koalicionit me 61 vota duhet të na bindin se e votojnë demarkacionin, pastaj LDK-ja vlerëson të hyjë në proces të ratifikimit të marrëveshjes”, ka thënë Haziri.
Por deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, ka thënë se është shumë vështirë të sigurohen dy të tretat e votave në Kuvend për ratifikimin e versionit aktual të demarkacionit me Malin e Zi. Për gazetën “Epoka e re” ajo ka bërë me dije se AAK-ja nuk e ka ndryshuar qëndrimin ndaj demarkacionit. “Ne kemi qëndrimin e njëjtë. Nuk kemi ndryshuar asgjë. Kemi qenë të bindur se kjo marrëveshje është gabim, edhe në kohën kur e kemi kundërshtuar në mënyra të ndryshme. Njëjtë edhe tash mendoj se kjo marrëveshje është e gabuar. Raporti i komisionit të ri për demarkacionin e ka dokumentuar atë që kemi menduar më parë, se marrëveshja e demarkacionit është e dëmshme për Kosovën. Madje raporti tregon se komisioni paraprak ka bërë edhe tejkalim të kompetencave të veta, sepse ai komision është caktuar për ta bërë shënjimin e vijës kufitare në mes të dy vendeve e jo për të bërë kufi të ri”, ka deklaruar Kadrijaj.
Edhe deputeti i Nismës për Kosovën, Zafir Berisha, ka bërë me dije se kjo parti nuk ka ndryshuar qëndrim sa i përket demarkacionit me Malin e Zi. Ai ka thënë për gazetën “Epoka e re” se nuk ka shanse të kalojë versioni aktual i demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. “Në fakt, vetëm pritet që demarkacioni të vijë në seancë të Kuvendit dhe të votohet kundër tij, në mënyrë që të krijohen rrethana të reja për demarkacionin me Malin e Zi. Vota jonë është kundër. Edhe me këtë çështje ka pasur lojëra politike dhe ata që i kanë bërë këto lojëra duhet të japin llogari. Përndryshe, qysh në legjislaturën e kaluar, kur jam bindur se Kosova humbet mbi 8 000 hektarë tokë, kam qenë kundër dhe do të mbetem kundër. Madje tashmë jam bindur edhe më shumë për këtë çështje. Në momentin që vjen në Kuvend kjo çështje dhe nuk i ka 80 vota, versioni aktual është i rrëzuar”, është shprehur Berisha.
Shqipe HETEMI