Partitë politike të bëjnë kompromis për postin e presidentit
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Fatmir Rexhepi ka ftuar liderët e gjitha partive politike që të gjejnë një kompromis për postin e presidentit.
Në një intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, ai ka thënë se zgjedhja e presidentit të ri është çështje që iu takon të gjitha partive politike. “Mendoj se të gjitha partitë politike parlamentare duhet të ulen dhe të arrijnë një marrëveshje politike për zgjedhjen e presidentit. Duhet ta ndajmë çështjen e presidentit prej qeverisë. Çështja e presidentit nuk duhet të përzihet me çështje të tjera, sepse kjo do të na riciklojë sërish krizën për presidentin. Ftoj liderët e të gjitha partive që të ulen dhe ta bëjnë një kompromis për pozitën e presidentin. Të gjithë e kanë për borxh që ta gjejnë një presidenti konsensual”, ka deklaruar Rexhepi.
Sipas tij, partitë politike vetëm bashkërisht mund ta zgjidhin këtë çështje. “Partitë politike duhet të ulen dhe të merren vesh edhe për zgjedhje. Të merren vesh nëse ato duhet të mbahen në pranverë, pas gjashtë muajve apo pas një viti. Me rëndësi është që çështjen e presidentit duhet ta heqim nga rendi i ditës bashkërisht. Edhe pas zgjedhjeve të reja duhet të ulemi dhe ta bëjmë të njëjtën procedurë. Tani Kuvendin e kemi legjitim dhe partitë politike duhet të gjejnë zgjidhje për presidentin”, është shprehur ai.