Partitë politike vazhdojnë të udhëhiqen nga parimi i interesave të ngushta partiake

29 gusht 2018 | 11:23

Ylber Çitaku

Krejt njëjtë! (2)

Komandantë të UÇK-së, deputetë e qeveritarë, kryetarë partish politike, kryetarë komunash, gazetarë, prokurorë gjykatës, qytetarë…!

Në pamje të parë ose shprehur popullorçe, “shikuar me syrin e lirë”, çdo gjë ishte dhe është në rregull, mirëpo kur gjërat shikohen më në brendi pothuajse gjithë çfarë ndodh rreth zgjedhjeve dhe institucioneve që dalin nga to bëhet me djallëzi e kalkulime politike, pothuajse asnjëherë për interesin e qytetarëve e të vendit. Qytetari thuajse e ka të pamundur t’i kuptojë këto lojëra e djallëzi të njerëzve nga politika, e si t’i kuptojë qytetari kur me shumë vështirësi po i përballon sfidat e jetës, sfida këto që përballimi i tyre po bëhet çdo ditë e më i vështirë.

Partitë politike pa dallim udhëhiqeshin dhe vazhdojnë të udhëhiqen nga parimi i interesave të ngushta partiake pa e parë interesin e përgjithshëm të vendit, të njëjtat nëse ishin në pushtet votonin gjithë çfarë u shërbehej, ato të opozitës kundërshtonin gjithë çfarë propozohej pa e shikuar interesin e përgjithshëm të vendit. Raste të tilla ka shumë. Por, dy prej rasteve më eklatante janë propozimi për formimin e ushtrisë së Kosovës, i kundërshtuar nga LDK-ja dhe demarkacioni me Malin e Zi, fillimisht i kundërshtuar nga AAK-ja sa ishte në opozitë, por që e votoi menjëherë porsa erdhi në pushtet. Thjesht, u humbën më shumë se dy vjet dhe u votua nga ata që e kundërshtonin me kërcënim deri në thirrje për luftë qytetare. Këto dhe raste të ngjashme janë treguesi më i mirë se partitë politike në Kosovë i përmbahen me fanatizëm thënies popullore “Për inati të resë më vdektë djali”!

Përbërja e Kuvendit të Kosovës në vend të përmirësimit në kuptim të cilësisë ka shkuar drejt degradimit, deputetët e përbërjes aktuale tallen me institucionin ku janë anëtarë, tallen me qytetarin e Kosovës, tallen me çdo gjë që ka të bëjë me Kosovën. E ku ka tallje më të madhe sesa të mos bësh asgjë, madje as të marrësh pjesë në ndejat (seancat) e asgjësë dhe jo vetëm që shfrytëzon përfitimet që i takojnë një deputeti të përgjegjshëm, por kërkojnë me ngulm ngritjen e pagave dhe shtimin e përfitimeve.

Deputetët e pozitës tregojnë papërgjegjësi prej diletantëve, kjo papërgjegjësi e tyre nuk është as e rastësishme, as individuale. Thjesht, është e orkestruar nga grupe të caktuara të interesit të cilat përmes metodave krejt primitive të bojkotimit të seancave në heshtje dëshirojnë ta përcjellin mesazhin e mundësisë së rebelimit tek liderët e tyre partiakë, kurse ata të opozitës tregojnë papërgjegjësi prej adoleshentëve duke refuzuar votimet e ligjeve e të rezolutave me pretekstin se ne nuk ia bëjmë numrat pozitës, sikur numrat qenkan më me rëndësi dhe më me interes për vendin sesa përmbajtja e ligjeve apo rezolutave.

Qeveritë si institucione ekzekutive që nga pas lufta krijoheshin si me rotacion PDK, AAK e LDK, por që në shumicën e rasteve sikur kishin mision të punonin kundër interesave të popullatës shumicë të Kosovës dhe të vet Kosovës si shtet në ndërtim e sipër.

Se qeveritë me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë punuar në vazhdimësi kundër interesave të qytetarëve dhe të vendit këtë e di secili qytetar i Kosovës, madje qytetarët ndihen të stërlodhur nga këto veprime kriminale të qeveritarëve tanë, andaj ka kohë që kanë filluar për të mos iu dhënë vëmendje veprimeve të tilla, megjithatë me këtë rast po i përmendi vetëm dy raste të qeverisë së fundit që janë skandale të përmasave botërore: – Pesëdhjetë e dy milionë euro (52 000 000 euro) dhënë fillimisht për “Bechtel-Enka”, por që dedikimi final i pjesës më të madhe të kësaj shume shkon…! Ku është prokuroria? – Gjuha e të parit të Qeverisë, hajn ky e hajn ai, për të mos e harruar sjelljen e tij prej një huligani në përvjetorin e sivjetmë të lidhjes së Prizrenit, shtrohet pyetja ku është qytetaria.

Liderë të partive politike

Kosova pas luftës kishte dy liderë partish dominuese dhe dy-tri parti të vogla pa ndikim (LB, PSD, PP), kështu vazhdoi derisa partive dominuese iu deshën parti satelit, në momentin kur ato e vërejtën se kanë nevojë për parti satelit krijuan satelitët e tyre ose krijuan satelitë në taborin e rivalit politik, të tilla ishin disa e disa vazhdojnë të jenë si: ORA, LDD, FER-i, AKR, LV, Nisma, Alternativa, PSD e tanishme etj.

Por që pothuajse pa përjashtim këto parti kanë liderë me ngjashmëri të papërshkrueshme në sjellje, kulturë, edukim, traditë, ego, injorancë e inate dhe rrjedhimisht kemi: Liderë partie me strukturë deri në 50 % familjarë; liderë partie me struktura udhëheqëse lokaliste; liderë partie ku më shumë ka hapësirë e ndikim shoferi sesa njeriu me bagazh intelektual; liderë partie ku më shumë ka hapësirë e ndikim kamerieri sesa njeriu me vlera e bagazh kombëtar; liderë partie ku më shumë ka hapësirë e ndikim sekseri sesa njeriu me vlera e bagazh prej akademiku; liderë partie ku më shumë kanë hapësirë e ndikim shoferi, kamerieri e sekseri sesa njerëzit me vlera, bagazh e kontribut intelektual, kombëtar e partiak; liderë partie tek i cili, pavarësisht prej vlerave dhe bagazhit intelektual e kombëtar, pavarësisht prej autoritetit e votave që mund të ketë individi, po nuk diti të merret me intriga, shpifje, insinuata e mbi të gjitha po nuk diti të vardiset e ardhmja e tij në politikë është e paperspektivë.

Kryetarë komunash

Në Kosovën e pasluftës mbahen zgjedhje të veçanta çdo katër vjet për kryetar komune, rreth 50 % e popullatës me të drejtë vote dalin të votojnë, madje në shumicën e rasteve dilet të votohet dy herë për shkak të sistemit zgjedhor, por shumica e zotërinjve që kandidohen për kryetarë komune (përjashto kryetarët e Hanit të Elezit, z. Rufki Suma, atë të Fushë-Kosovës, z. Burim Berisha, atë të Shtimes, z. Naim Ismajli dhe ndonjë rast tjetër eventual) assesi ta kuptojnë se kanë kandiduar dhe se janë zgjedhur për kryetar të komunës përkatëse.

Detyra parësore e tyre është mirëmbajtja dhe rregullimi i infrastrukturës brenda kufijve të komunës, por si të “gjithëditur” që janë merren jo vetëm me çështjet madhore të vendit, por shkojnë aq larg saqë merren edhe me zgjidhjen e problemeve globale, raste më të shpërfaqura janë Shpend Ahmeti, Agim Bahtiri e Lutfi Haziri, infrastruktura e komunave në të cilat janë kryetarë është për keqardhje.

Gazetarë

Qytetari i Kosovës pas lirisë së fituar më së shumti ka pasur nevojë të jetë i informuar, nuk thuhet sa për t’u thënë “Njeriu më i pasur është ai që ka informatën”. Popullata kishte nevojë të informohej për ndodhitë gjatë luftës, për të vrarët, për të zhdukurit, për të dhunuarit, për dëmet e luftës, po edhe për zhvillimet e pasluftës.

Me segmentin e gazetarisë çalonim si shoqëri edhe për faktin se që nga vitet ’80-ta regjimi shovinist serb u përkujdes që këtë segment të rëndësishëm ta ngufatë, kurse në vitet ’90-ta nuk hezitoi t’i mbyllë me qëllimin e vetëm që shqiptarëve të Kosovës t’ua mbyllin dritaret e informimit.

Me ardhjen e lirisë në verën e vitit 1999 filluan të hapeshin dritare informative në vend, popullata i dëgjonte, i lexonte këto media, ishte normale që qytetarët t’u besonin këtyre medieve, rrjedhimisht opinioni për të “vërtetën” krijohej duke dëgjuar e lexuar këto media.

Para disa vjetëve Milaim Zeka, atëherë kur ishte edhe vetë gazetar, pati thënë: “Gazetarët e Kosovës qkul…. për një pasul”, pra e kishte fjalën se gazetarët e Kosovës shiten e blihen për një fasule.

Me qenë i sinqertë në atë kohë nuk i kam besuar Milaimit, thjesht kam menduar që mund të ketë individë të tillë, por që besoja se shumica e gazetarëve janë njerëz që punojnë me përkushtim e profesionalizëm në profesionin e tyre si gazetarë.

U deshën të kalojnë disa vjet nga kjo deklaratë e Milaimit që unë ta besoj, e si mos ta besoj kur edhe vetë Milaimi u qkul… jo për një fasule, sepse shifrat dhe rrethanat kishin evoluar, por për përfitime personale më të larta nuk zgjodhi mënyra e metoda, për të përfituar ai u mor me shumë çka, por jo me gazetari hulumtuese, segment ky ku, sipas bindjeve të mia, Milaimi ka shkëlqyer!

Fat i madh do të ishte sikur të ishte Milaimi i vetmi, por pothuajse që të gjithë gazetarët e njohur u futën nën kthetrat e politikës e të bizneseve të dyshimta e të pista, madje ca nga ta kanë avancuar në pronarë, drejtorë e aksionarë mediesh e kompanish prej gurthyesve, hoteleve e deri tek bordelet gjysmësekrete.

Këto pozita e favore iu dhanë gazetarëve vetëm e vetëm që ta mbyllin gojën. Disa nga gazetarët këto pozita i përvetësuan duke hyrë në partneritet me politikanë, komandantë, prokurorë, gjyqtarë e biznesmenë, kuptohet me “marrëveshje e mirëkuptim”.

Shtrohet pyetja: Po me çka imponoheshin këta gazetarë për t’u bërë aksionarë në politikë, biznese dhe organe vendimmarrëse? Po i prezantoj dy-tri “tema” të përdorura nga gazetarët për t’u imponuar.

– Politikanët, komandantët, prokurorët, gjykatësit, pronarët e bizneseve shantazhoheshin me publikimin e aferave të tyre korruptive; Politikanët, komandantët, prokurorët, gjykatësit, pronarët e bizneseve shantazhoheshin me publikimin e veprime të tyre imorale; Politikanët, komandantët, prokurorët, gjykatësit, pronarët e bizneseve shantazhoheshin me publikimet e dukurive devijante në veprimet dhe veprimtarinë e tyre. Ka pasur shumë raste kur politikanët, komandantët, prokurorët, gjykatësit e pronarët e bizneseve, pasi binin pre e shantazheve, fillonin të ngadhënjeheshin nga gazetarët për publikime dhe prezantim në kontest pozitiv të veprimtarisë së tyre, po edhe të vetë atyre si individë, vetëm se duheshin të ndanin diçka nga pasuria e tyre për këta gazetarë. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Reportazh / Durrësi në fundgusht, më i frekuentuar se asnjëherë…