Partitë premtojnë një qeveri më të vogël
Numri i madh i ministrave dhe zëvendësministrave në Qeverinë aktuale të Kosovës ka bërë që një nga premtimet më të shpeshta të subjekteve politike në garë për zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit, të jetë edhe zvogëlimi i numrit të ministrive.
Qeveria në largim e Kosovës e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, është një prej qeverive më të mëdha në Evropë, pasi përbëhet nga gjithsej 21 ministra, pesë zëvendëskryeministra si dhe rreth 80 zëvendësministra.
Një qeveri kaq të madhe nuk e parasheh më asnjë prej subjekteve politike, përshirë edhe partitë që janë në koalicionin qeverisës.
Partia Demokratike e Kosovës është zotuar se numri maksimal i ministrive në Qeverinë e Kosovës duhet të jetë 14, eventualisht 15 ministri. Edhe koalicioni ndërmjet Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partisë Socialdemokrate është zotuar se qeveria e ardhshme, nuk duhet të ketë më shumë se 15 ministri. Jo më shumë se 15 ministri i ka paraparë në programin e saj edhe koalicioni Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë.
Lëvizja Vetëvendosje ka premtuar se do të insistojë që Qeveria e Kosovës të mos ketë më shumë se 12 ministri. Po ashtu edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, në programin qeverisës, ka planifikuar që qeveria të përbëhet nga 12 ministri.
Përfaqësuesit e shoqërisë civile thonë që numri i ministrive do të duhej të rregullohej me Ligjin për qeverinë. Kurse në lidhje me premtimet e partive politike për zvogëlimin e numrit të ministrive, thonë se premtimet e tyre mund edhe të mos realizohen dhe të mbesin vetëm si fushatë zgjedhore.
Drejtori i organizatës joqeveritare “Çohu”, Arton Demhasaj, ka thënë për “Radion Evropa” se nëse partitë politike premtimin për zvogëlimin e numrit të ministrive e kanë me të vërtetë, këtë do të mund ta bënin sapo ta marrin besimin e qytetarëve për të udhëhequr me qeverinë në mandatin e ardhshëm.
“Duke marrë parasysh qeverinë e madhe aktuale, e cila kishte një numër të madh të ministrave dhe zëvendësministrave, po besoj që partitë politike do të reflektojnë në bazë të kësaj dhe do të ketë tendenca për të shkurtuar kabinetin e ardhshëm, kushdo që krijon qeverinë”.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni: https://www.evropaelire.org/a/kosove-zvogelimi-i-qeverise-/30196942.html.