​Partive u kërkohet të përmbahen nga gjuha fyese

03 nëntor 2024 | 12:16

Pak muaj para zgjedhjeve parlamentare në vend, partitë politike – në pushtet e opozitë – po zhvillojnë betejë të ashpër me akuza e kundër akuza për çështje të ndryshme. Organizatat jo-qeveritare në vend po u kërkojnë deputetëve që të përmbahen nga gjuha denigruese gjatë seancave plenare në Kuvendin e Kosovës.

Në partinë në pushtet – Lëvizjen Vetëvendosje, thonë se partitë opozitare përmes akuzave dhe siç konsiderojnë ata shpifjeve, kanë zgjedhur “rrugën e gabuar” për të bërë fushatë për zgjedhjet e 9 shkurtit. Në anën tjetër, partitë opozitare thonë se ashpërsia e gjuhës vjen nga pushteti dhe sipas tyre mazhoranca “nuk mund të mbrohet” nga ato që opozita i quan skandale dhe korrupsion.

Hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Naim Jakaj thotë për KosovaPress, se deputetët duhet të jenë shembull i respektimit dhe promovimit të vlerave demokratike.

“Pavarësisht përkatësisë partiake, deputetët duhet të ruajnë dhe promovojnë vlerat bazë të garantuara me Kushtetutën e Kosovës. Duhet të jenë shembull i respektimit dhe promovimit të vlerave demokratike, sundimit të ligjit dhe qeverisjes së mirë… I bëjmë thirrje të gjitha partive politike, pa dallim, që me t’i përmbushin detyrimet e tyre që rrjedhin nga Kushtetuta e Kosovës, ligjet e aplikueshme dhe obligimet ndaj qytetarëve të Kosovës”, thotë ai për KosovaPress.

Fjalori në parlament është ashpërsuar sidomos pas publikimit në media të bisedave në të cilat është përfshirë shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila me ish-nënkryetarin e Listës Serbe, terroristin Millan Radoiçiq.

Për pushtetin, opozita së fundmi është duke bërë një fushatë të pabazuar dhe irracionale kundër qeverisë. Kjo, sipas tyre, edhe e cenon kulturën politike të raporteve ndër-partiake.

Deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi thotë për KosovaPress, se kjo gjuhë e opozitës është e ndërlidhur me “ankthin për rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare”.

“Është e dukshme që opozita në Kosovë papritmas është ngritur dhe zgjuar në një fushatë të pabazuar, irracionale kundër qeverisë dhe kundër Vetëvendosjes. Jam i bindur që kjo është e ndërlidhur drejtpërdrejtë me ankthin tyre për rezultatin e zgjedhjeve të shkurtit. Sa më afër 9 shkurtit është e dukshme që ne do të shohim deklarata të tilla, gjuhë të ashpër që natyrisht e cenon edhe atë kulturën politike të raporteve ndër partiake, por edhe procesin e funksionimit të Kuvendit të Kosovës… Pa dyshim që [ky diskurs] e dëmton, jo vetëm fushatën zgjedhore, demokracinë e kulturën politike, por edhe vetë procesin e funksionimit të Kuvendit të Kosovës. Është e vërtetë që jemi në fund të legjislaturës por Kuvendi megjithatë deri në fund të dhjetorit është mirë ta përmbush funksionin parësor që e ka – miratimin e ligjeve. Gjithë kjo, gjuha, zhurma, ashpërsia, seancat kinse të jashtëzakonshme me tema inekzistente pa objekt e pa përmbajtje po bëhet në kurriz të miratimit të ligjeve”, thekson Rrustemi.

Mirëpo, një gjë të tillë e mohon deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa i cili thotë se opozita po përdorë mekanizmat demokratik për të dëshmuar “keq-menaxhimin e qeverisë, bashkëpunimin me Listën Serbe” dhe siç thotë ai, aferat korruptive.

“Kemi pa nivelin e komunikimit, nuk e di se si mund të mbrohen mazhoranca kur shefja e grupit parlamentar koordinohet me një kriminel që kërkohet nga institucionet e Kosovës. Ajo koordinohet a me u zgjedh në Gjykatën Kushtetuese ky person, apo ai person. Koordinohet për pagën minimale, koordinohet a me qenë veteranët e UÇK-së në pagë minimale. Mendoj se qeveria aktuale e ka humbur rrugën edhe ashtu është në fund të mandatit…S’ka të bëjë me fushatë, shkeljet ligjore janë individuale të tyre dhe secili përgjigjet për veprimet e tyre. Ne kemi pa se kemi një qeveri të korruptuar. Shumica e ministrave janë me aktakuza apo janë në hetime, po ashtu edhe shumica e kryeshefave ekzekutiv të ndërmarrjeve publike janë me aktakuza apo hetime. Mendoj se ky është një imazh i keq i kësaj qeverie”, deklaron deputeti i PDK-së.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi thotë se kohëve të fundit nuk ka pasur fyerje dhe sharje por vetëm paraqitje e “realitetit të aferave dhe skandaleve të pushtetit”.

“Nuk mendoj se ka pasur kohëve të fundit fyerje dhe sharje. S’mendoj se kjo ka të bëjë kryekëput me fushatën zgjedhore. Kjo ka të bëjë me pamundësinë e punës normale në Kuvend. Lëvizja Vetëvendosje po pamundëson që të mbahen seanca normale në Kuvend, duke mos marrë pjesë në seanca dhe duke qenë e paaftë me marrë vendime”, thotë Gashi.

Partitë opozitare e kanë akuzuar dhe kritikuar ashpër pushtetin edhe pas disa raportimeve në media për biseda në mes të Koordinatores së komiteteve të VV-së, Dejona Mihali me ish-kryeshefin e KEK-ut, Nagip Krasniqi. Këto, pushteti i ka cilësuar shpifje.

Kritika dhe ashpërsim të gjuhës ndaj pushtetit ka pasur edhe pas disa arrestimeve në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës./kp/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tre persona të plagosur pas shembjes së një strehe betoni…