Partizani turpërohet nga Teuta, barazim dramatik në Vlorë
Duket se raundi i 32-të i Superligës mund të përkufizohet si java e surprizave. Pas fitores së Laçit me Skënderbeun, Teuta ka triumfuar në transfertë me Partizanin, ndërsa sfida në Vlorë është ndarë në barazim në minutat e fundit.
Durrsakët e nisën keq ndeshjen, pasi do të ishin në disavantazh në fillim. Partizani shënoi me penallti me anë të Bathës, por Teuta do të përmbyste gjithçka duke shënuar një fitore 1-3 që i jep aromën e mbijetesës në Superiore. Partizani me këtë humbje tashmë mund të konsiderohet zyrtarisht si jashtë luftës për Kupat e Evropës.
Sakaq në ndeshjen tjetër në Vlorë, përballja ka qenë dramatike, pasi shkodranët kanë shënuar të parët vetëm 7 minuta nga fundi i ndeshjes. Por kur u mendua se takimi do të mbyllej me fitoren e Vllaznisë, ka ardhur goli vendasve. Pas një topi të gjatë nga portieri, Kamara ka marrë një asistim nga Bushiç, gjuan nga jashtë zonës dhe i çon shifrat në barazim, raporton “Telesport”.
Kjo është renditja e kategorisë superiore pas mbylljes së javës së 32-të:
Superiore – 2017/2018
1.KF Skënderbeu 69 pikë
2.FK Kukësi 61
3.KS Luftëtari 51
4.KF Laçi 46
5.KF Partizani 46
6.Flamurtari FC 44
7.FK Kamza 39
8.KF Teuta 37
9.KF Vllaznia 37
10.FC Lushnja 11